E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizat financiare dhe Banka e Shqiperise

Roli i bankave qendrore në ekonomi po merr rëndësi të veçantë në ditët e sotme, për shkak të një relevance të fortë mes zhvillimint ekonomik të një vendi dhe sistemit bankar që mbështet këtë zhvillim. Parë në këtë kontekst, e kam vlerësuar të një rëndësie parësore rolin e Bankës së Shqipërisë, jo vetëm për kontributet në drejtim të stabilitetit të çmimeve, si objektivi kryesor i politikës monetare, në kompleks si ndërthurje e politikës monetare me atë fiskale e që do ishte më efikase për kontrollin e inflacionit, si dhe realizimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Por që të kemi një bankë qendrore të pavarur e që luan rolin e duhur, duhet të sigurohemi se nuk vepron në një ishull të izoluar që kujdeset vetëm për menaxhim të parasë, por kemi një institucion qendror monetar të përgjegjshëm para publikut, transparent e efikas me politikën monetare dhe garant i stabilitetit të sistemit bankar e gjithë ekonomisë shqiptare në përgjithësi.

Rreziqet për tregun financiar

Prisja që vlerësimi i vitit të shkuar të hidhte dritë mbi disa drejtime kryesore, se ku do të shkojë politika monetare dhe veprimtaria e BSH për vitin 2008. Kjo merr rëndësi të veçantë kur lexon Michael Deppler, i cili si përfaqësues shumë i rëndësishëm i FMN-së për rajonin tonë, ka ngritur disa shqetësime të drejtpërdrejta për Evropën Juglindore dhe për tronditjet e mundshme financiare. "Deri më tani rajoni ka qenë rezistent nga turbulencat financiare globale, por kjo nuk duhet të çojë në vetkënaqje: rritja botërore parashikohet të ngadalësohet dhe rreziku i përhapjes është i madh. Ajo që aktualisht është ngadalësim i moderuar, mund të kthehet shpejt në ulje me tronditje", thekson ai. Kjo situatë kërkon seriozitet në parashikimet për ecurinë e ekonomisë ne vitin 2008, veçanërisht për fenomenin e rëndësishëm si inflacioni.

Tejkalimi i inflacionit

Disa herë, që në vitin 2007 është tejkaluar objektivi për nivelin e inflacionit, ndërkohë që presionet janë të mëdha edhe për vitin 2008, sepse veç faktorëve të jashtëm (çmimi i naftës, ushqimeve, kriza e shtëpive, ajo energjetike), edhe faktorët e brendshëm (rritja tjetër e pritshme e çmimit të energjisë, kreditimi i rritur në Shqipëri, deficiti buxhetor tejet i rritur për 2008 në nivelin e 7.9%, si dhe fakti që 2008 është pragu i vitit elektoral apo edhe nivelet tepër të larta të indeksit të çmimeve të ndërtimit për vitin e kaluar) nënkuptojnë presione shumë më të forta për inflacion të pritshëm në vitin aktual.

Pavarësisht argumenteve për ndryshimin e shportës dhe kohezionin e saj me strukturën e konsumit të familjes shqiptare apo dhe diferencimit të peshave mes prefekturave, është e qartë se inflacioni real, pra ai i deklaruar, plus inflacionin e fshehur si pasojë e ndryshimit te shportës, do të ishte disa përqind më i lartë, duke vënë në pikëpyetje gjithë politikën monetare të bankës qendrore dhe objektivin e qeverisë për të në ligjin e buxhetit.

Tejkalimi i normës se inflacionit ka shpënë në rënien e fuqisë blerëse, si pasojë e një rritje të konsiderueshme e të vazhdueshme të pjesës më të madhe të produkteve të shportës, e kryesisht të ushqimeve dhe energjisë elektrike. Këto çmime të rritura po i bëjnë të varfrit më të varfër dhe po shtojnë në grupin e familjeve me pamundësi për të përballuar nevojat minimale edhe familje, që më parë klasifikoheshin në shtresat e mesme të shoqërisë. Lidhur me shportën e re të matjes së Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK), nuk kemi asnjë informacion se cili është kontributi i Bankës dhe si e vlerëson ajo uljen e peshës së ushqimeve në indeksin "real" të inflacionit, apo uljen e ndjeshme të peshës së grupit, ku bën pjesë dhe energjia elektrike, ndërkohë që pritej rritja e çmimit të saj gjatë fillimit të vitit 2008.

Vizioni për të ardhmen
Vlerësimi i Bankës së Shqipërisë për ekonominë dhe financat shqiptare për vitin 2007 duhet të ishte më i thelluar, duke u ndalur në momentet kritike, që zgjidhin probleme e çlirojnë energji për të ardhmen. Kjo sepse BSH, ku shteti shqiptar ka investuar mjaft në dekadën e fundit, është institucioni i pavarur, me ekspertizën më të thelluar në fushën ekonomike që e bën atë një institucion vizionar. Por konstatojmë që këto tipare po zbehen dhe BSH nuk prononcohet në kohë, hapur e në mënyrë të pavarur për politikat ekonomike të qeverisë, buxhetin etj. Dhe në jo pak raste, vërehet të tkurret dhe të luajë indiferentin. Në raportin e BSH duhej bërë një analizë a vlerësim më i thelluar për të ardhmen e ekonomisë, buxhetit, sistemit financiar dhe bankar. Por ndërkaq, nuk kuptohet nëse Banka do e realizojë detyrën për inflacionin; nuk dihet si do shkojë kursi i këmbimit të lekut; kur do të jemi vend me inflacion të shënjestruar të deklaruar; a ka objektiva për rritjen e pjesëmarrjes së individëve në bono e letra me vlerë të qeverisë; a do merret ndonjë masë për frenimin e kreditimit apo konsiderohet i kënaqshëm niveli aktual; cila do të jetë politika monetare e vitit 2008 (shtrënguese, liruese apo neutrale); si gjykohet numri i bankave në vend dhe a do licencohen banka të reja, nëse do kërkohet çelja e ndonjë tjetre...?

(Pa)varësia dhe transparenca

Banka nuk prononcohet (dhe nuk e dimë akoma nëse do prononcohet) si institucion i pavarur për politikat ekonomike dhe buxhetin e qeverisë gjatë vitit 2008. Duke vlerësuar dhe uruar për krijimin e Byrosë së Kredive (ndonëse vonë krahasuar me vendet e tjera) do të ishte me interes të dinim a ka probleme të reja për bankat, të cilat nuk dinin më parë që një klient mund të kishte kredi në një banke tjetër dhe sa është efekti i riklasifikimeve për këtë arsye.

Edhe në rastin më optimist, nuk mund të gjykohet që sistemi bankar dhe politika monetare apo veprimtaria e BSH gjatë vitit 2007 ka qenë tërësisht e suksesshme dhe pa asnjë problem. Por raporti i kësaj banke nuk pasqyron asnjë shqetësim. Ky fakt është një shembull se BSH ka filluar të mos jetë më transparente në realitet, por vetëm formalisht. P.sh. konkretisht ajo ka ndërhyrë në tregun valutor, por nuk sqaron pse ndërhyrjet janë shpeshtuar në krahasim me vite më parë. U duhet dhënë përgjigje për pyetje të tilla, si: Përse ka ndërhyrë, cili ishte objektivi, a është realizuar ky objektiv dhe me ç‘kosto?

Banka dhe statistikat

Raporti nuk ka vlerësime për statistikat, ndaj Banka duhet të shprehet jo vetëm për përmirësimet në statistikat e saj, por edhe për besueshmërine e statistikave qeveritare, që ato të mos "komandohen" prej saj. Lidhur me shportën e re të matjes së IÇK-së, nuk ka asnjë informacion cili është kontributi i Bankës dhe si e vlerëson ajo uljen e peshës së ushqimeve në indeksin "real" të inflacionit, apo uljen e ndjeshme të peshës së grupit, ku bën pjesë dhe energjia elektrike, ndërkohë që pritej rritja e çmimit të saj gjatë fillimvitit 2008.

Informaliteti i ekonomisë

Nga raporti vërehet rritja e depozitave bankare me ritëm më të lartë se ai i rritjes të GDP (pra ritmi i shtesë nominal i GDP 9.3 %, ai i depozitave ka qenë 18.6 %). Në një kohë kur ritmi i rritjes së dërgesave të emigrantëve ka qenë vetëm 1.3%. Cili është shkaku i kësaj rritje kaq të madhe? Kjo rritje nuk flet për entuziazëm, megjithëse këto të dhëna mund të bëjnë entuziast ata që pak kuptojnë nga ekonomia, sepse edhe ulja e parasë jashtë bankave nuk e justifikon këtë dukuri. Përgjigjja e pyetjes është e rëndësishme për të shpjeguar se në ç‘bazë mbështetet rritja jone ekonomiko-financiare dhe në ç‘bazë do të realizohet ajo në të ardhmen. Kjo përgjigje ka rëndësi të madhe edhe për të rinjtë, shumë prej të cilëve shtrojnë pyetjen të rrinë apo të largohen nga Shqipëria. Paratë, është e vërtetë që, shtohen për disa, po nga cilat aktivitete? Mos vallë ky është treguesi i heshtur që flet për fenomene e që për delikatese do i konsideroja informale dhe jo me emrin e tyre të vërtetë? Cili nga ekonomistët nuk do ta kishte zili ekonominë e një vendi që mundëson rritjen e konsumit (të paktën - importet 26 %), kur rritja e GDP nominale është 9.3 %?! Megjithatë, të rinjtë, por jo vetëm të rinjtë i hedhin sytë jashtë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›