E Hënë, 2 Nëntor 2026

BULLGARI – Zhelyazkov: Asnjë arsye për të hetuar incidentin me avionin e Von der Leyenit

BURGAS, 2 shtator /ATSH-BTA/ – Nuk ka arsye për të hetuar incidentin me avionin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pasi bllokimi i sinjalit GPS nuk konsiderohet kërcënim hibrid apo kibernetik, deklaroi sot kryeministri bullgar, Rosen Zhelyazkov në Burgas.

Deklarata pasoi njoftimin e Shërbimit të Informacionit të qeverisë së Bullgarisë dje, lidhur me incidentin e së dielës, kur sistemi GPS i avionit humbi sinjalin satelitor gjatë afrimit për në aeroportin e Plovdivit.

Për sigurinë e fluturimit, autoritetet bullgare të trafikut ajror ofruan menjëherë një metodë alternative uljeje me ndihmën e navigimit tokësor.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta, tha dje  se autoritetet bullgare dyshojnë se ndërhyrja ishte e qëllimshme nga Rusia.

Zhelyazkov theksoi se që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, lufta moderne përfshin gjithnjë e më shumë luftën elektronike, që përfshin ndërprerje të qëllimshme të spektrit të radiofrekuencave.

Sipas tij, raste të tilla janë vërejtur vitet e fundit në Helsinki, rajonin e Detit të Zi, Jerevan, Tbilisi, Qipro, Siri dhe Tripoli.

Ai shtoi se sinjalet e GPS transmetohen nga satelitë në lartësi rreth 20 kilometra mbi Tokë dhe shpesh preken nga këto ndërhyrje.

Kryeministri bullgar theksoi se incidenti nuk ishte i drejtuar posaçërisht ndaj ndonjë avioni dhe u identifikua nga ekuipazhi i fluturimit.

”Ngjarje të tilla ndodhin çdo ditë, dhe avionët kanë fluturuar e ulur shumë kohë para se të ekzistonte GPS”, tha ai.

Zhelyazkov shpjegoi se ekzistojnë protokolle ndërkombëtare për situata të tilla, të zbatuara në të gjitha vendet e mbikëqyrura nga Agjencia Evropiane e Sigurisë Ajrore, të cilat parashikojnë përdorimin e metodave tradicionale të navigimit në rast prishjeje të GPS-it.

”Kontrolli i trafikut ajror në Bullgari ndoqi të gjitha procedurat e kërkuara dhe se incidenti nuk ndryshon nga ngjarje të ngjashme të lidhura me konfliktin në Ukrainë dhe përdorimin e teknikave të luftës elektronike. Fatkeqësisht, ky është një nga efektet anësore, edhe pse jo i vogël, i konflikteve të tilla”, përfundoi Zhelyazkov./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›