ITALI – Vdes gazetari i njohur Emilio Fede

ROMË, 2 shtator /ATSH/ – Gazetari i njohur italian, ish-drejtor i Tg4, Emilio Fede vdiq sot në moshën 94-vjeçare.
Lajmin e konfirmoi vajza e tij, Sveva për gazetën italiane ”Corriere della Sera”.
Gjendja e tij ishte përkeqësuar ditët e fundit.
Gazetari kishte qëndruar për një kohë të gjatë në spital në ”Residenza San Felice” në Segrate, afër Milanos.
Fede ishte një nga figurat ikonike të televizionit italian, një karrierë që filloi në RAI në vitet 1960, si korrespondent lufte, vazhdoi si drejtor i Tg1, dhe më pas me ardhjen e tij në ”Fininvest”, ku Silvio Berlusconi e emëroi për të drejtuar Tg4.
Për 20 vjet, nga 1992 deri në 2012, edicioni i tij i lajmeve ishte zëri më hapur pro Berlusconit në ekranin televiziv, i dashur dhe i urryer, ndonjëherë karikaturizuar, por padyshim i dallueshëm për tonin e tij gjithmonë të tepruar.
“Jam redaktori më i kritikuar, por edhe më i ndjekuri”, pretendonte ai.
Me editorialet e tij, Fede mishëronte një epokë televizive dhe një stil unik të gazetarisë.
Karriera e tij profesionale përfundoi papritur në 2012, kur ai u largua nga ”Mediaset”, pas përfshirjes së tij në hetimin e skandalit ”Ruby”.
Periudha e fundit e jetës së tij u ndikua gjithashtu thellë nga humbja e Dianës De Feo, gazetare dhe më pas deputete e ”Forza Italia”, me të cilën u martua në 1963 dhe mbeti bashkëshortja e tij për afro 60 vjet.
Ajo vdiq në qershor 2021. Vdekja e Dianës ishte një goditje e rëndë për Feden. Ai vetë e quajti këtë humbje si dhimbjen e tij më të madhe./ /Ad.Ab./