E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Jam shumë i zhgënjyer nga Putini

UASHINGTON, 2 shtator /ATSH-ANSA/ – Jam shumë i zhgënjyer nga Putini, deklaroi presidenti amerikan, Donald Trump në një intervistë në emisionin radiofonik të Scott Jennings.

“Ne patëm një marrëdhënie të shkëlqyer”, tha Trump gjatë intervistës duke shtuar se ”mijëra njerëz po vdesin dhe kjo është një luftë që nuk ka kuptim”.

Presidenti 79-vjeçar nuk specifikoi, megjithatë, nëse zhgënjimi i tij do të përkthehej në pasoja për Rusinë, pavarësisht ultimatumit të tij dyjavor ndaj Moskës, i cili do të skadojë më vonë këtë javë.

Ai gjithashtu deklaroi se nuk ishte i shqetësuar për një aleancë të mundshme midis Rusisë dhe Kinës, menjëherë pas një takimi midis Vladimir Putin dhe Xi Jinping në Pekin, të martën, në prag të një parade masive ushtarake.

“Nuk jam aspak i shqetësuar”, tha Donald Trump.

“Ne kemi forcat ushtarake më të fuqishme në botë, deri tani, dhe ata kurrë nuk do t’i përdornin forcat e tyre ushtarake kundër nesh. Më besoni, kjo do të ishte gjëja më e keqe që mund të bënin ndonjëherë”, shtoi ai./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›