BUM golash kuqezi, shënojnë Bala e Januzi, Etrit Berisha realizon me 11metërsh
Bala, vjen goli i parë në Çeki, Sparta fiton në transfertë
Nga ANDI TANKU
Në takimin e dytë si titullar te skuadra çeke, Bekim Bala ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës. Në ndeshjen e zhvilluar dje, Sparta e Pragës arriti të fitojë me rezultatin 1-4 në transfertë kundër Slovako të vendit të fundit. Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e dytë të takimit duke i dhënë avantazhin e dyfishtë skuadrës së tij, pikërisht në minutën e 13-të. Ky ishte goli i parë i shkodranit në kampionatin Çek dhe duket se aventura e tij në këtë shtet ka nisur më së miri, pasi edhe në takimin e një jave më parë ai u aktivizua për 90-minuta, duke zhvilluar një lojë në nivel të kënaqshëm, por i mungoi goli. Duket se tashmë, pas sfidës së djeshme ai ka përforcuar akoma më shumë pozitat e tij në formacionin bazë, duke lënë një përshtypje të mirë te trajneri i klubit ku aktivizohet. Paraqitjet e bomberit shtatlartë mund të shërbejnë për të tërhequr edhe vëmendjen e trajnerit të Kombëtares sonë, italianit Xhani de Biazi, për ta grumbulluar në takimet që do të zhvillohen në të ardhmen nga Përfaqësuesja jonë. Sparta renditet në vendin e parë pas kësaj fitoreje në kampionatin Çek, ku ka grumbulluar 7 pikë në 3 takime gjithsej.
Etrit Berisha shënon me penallti, Kalmari i tij pëson 7 gola
Gardiani kosovar ka shënuar nga pika e bardhe e 11metërshit kundër Helsinborgut, të cilët në fund fituan me rezultatin 7-2
Etrit Berisha ishte protagonist në takimin që skuadra e tij zhvilloi dje kundër Helsinborgut vendas. Skuadra e Kalmarit, ku aktivizohet portieri kuqezi, ka humbur me rezultatin 7-2 në transfertë, por ajo që duhet veçuar është goli i shënuar nga 23vjeçari i Kombëtares sonë me 11metërsh, në minutën e 38-të, kur rezultati ishte 2-0 për Helsinborgun. Vendimi i trajnerit për ti besuar gardianit të portës gjuajtjen nga pika e bardhë, tregon edhe një herë pozicionin e rëndësishëm që ka ai në skuadrën suedeze. Mirëpo minutat në vazhdim do të ishin një makth për të pasi do të detyrohej ta nxirrte edhe pesë herë të tjera topin nga porta e vet. Në këtë mënyrë entuziazmi për golin e shënuar do të shuhej në një farë mënyre, por duhet theksuar se paraqitja që bëri në përgjithësi skuadra e Kalmarit ishte për tu harruar, ku mbrojtësit që ishin rreshtuar përpara kosovarit ishin pothuajse inekzistent, duke ia bërë atij të pamundur misionin për të shmangur një humbje kaq të thellë, edhe pse nuk lënë mënjanë fakti se kundër ishte një ndër ekipet më me emër në kampionatin suedez. Skuadra, në të cilën aktivizohet lojtari i Përfaqësueses sonë, renditet në vendin e 12-të me 23 pikë të grumbulluara.
Roshi dhe Kapllani titullar në fitoren e FSV Frankfurt
Odise Roshi dhe Edmond Kaplalni e kanë nisur nga minuta e parë takimin që FSV Frankfurt zhvilloi dje kundër Hertës së Berlinit, për javën e 2-të të Bundesligës 2.
Ajo që binte në sy ishte formacioni i skuadrës ku aktivizohen lojtarët e Kombëtares sonë, i cili në përbërje të tij kishte vetëm dy të huaj, pikërisht, Roshi dhe Kapllani, ndërsa pjesa tjetër ishin të gjithë lojtarë gjermanë. Për sa i përket takimit, vendasit e FSV Frankfurt kanë fituar me rezultatin 3-1 ndaj kryeqytetasve. Roshi është aktivizuar deri në minutën e 58-të dhe më pas i ka lënë vendin australianit Leckie, kur rezultati ishte 1-1. Zëvendësuesi i futbollistit shqiptar, ka arritur të shënojë golin e avantazhit, disa minuta pas hyrjes së tij në fushën e lojës. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Kapllanin. Bomberi durrsak, luajti për 80-të minuta, para se tia linte vendin hollandezit Verhoek, i cili shënoi golin e tretë dhe të fundit për ekipin gjerman. Rastësi, pasi të dy lojtarët që zuë vendet e kuqezinjve arritën të shënonin dhe ti jepnin fitoren ekipit gjerman, të cilët gjenden në vendin e katërt në Bundesligën 2, ku në dy takime kanë grumbulluar katër pikë. Trajneri i FSV Frankfurt, Ramon Berndroth i ka cilësuar si titullar të dy futbollistët shqiptarë dhe këtë gjë e ka treguar edhe dje kur i ka rreshtuar në formacionin bazë në takimin kundër Hertës së Berlinit.
Ahmed Januzi shënon golin e nderit në humbjen 4-1 të Vorsklas, Dallku titullar
Sulmuesi dhe mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, që aktivizohen në kampionatin Ukrainas me ekipin e Vorskla-së, kanë qenë titullar në humbjen që ekipi i tyre ka pësuar transfertë ndaj Shaktarit të vendit të parë. Ahmed Januzi ka arritur të shënojë në minutën e 38-të, kur rezultati ishte 2-0 për vendasit, duke ngushtuar kështu disavantazhin. Kjo mund ti shërbejë sulmuesit kuqezi për tu parë si një lojtar i rëndësishëm për ekipin e tij, nga ana e trajnerit, i cili në takimet e fundit e ka aktivizuar Januzin, jo si titullar. Edhe mbrojtësi i krahut, Armend Dallku, në këtë takim është aktivizuar për 90-minuta, duke bërë edhe ai një paraqitje të mirë. Në fund Vorskla e dy legjionarëve ka humbur me rezultatin 4-1 dhe renditet tashmë në vendin e 13-të me 3 pikë në 5 takime.
