Trepça ka mbledhur mend
Edicioni i kaluar ishte shumë i vështirë për Trepçën. Madje, thuajse me ndihmën e fatit kjo skuadër i kishte shpëtuar rënies nga Superliga, edhe atë në xhiron e fundit.
‘Xehetarët’ kampionatin e kishin përmbyll duke u pozicionuar në vendin e nëntë me 43 pikë, vetëm një më shumë sesa Lepenci, i cili në ndeshje barazhi me Hajvalinë e kishte humb statusin e anëtarit të elitës.
E ky përjetim i detyroi udhëheqësit e këtij klubi që mos të pushojnë shumë gjatë verës, por ta konsolidojnë më mirë Trepçën për edicionin e ri, për ta kaluar atë më të sigurt.
Kështu, mitrovicasit fillimisht e vazhduan bashkëpunimin me trajnerin Shefqet Kurti, e më pas i nisën me seriozitet të madh përgatitjet për sezonin e ri. Njëherësh gjelbërezinjtë ia dolën t’i mbajnë shumicën e futbollistëve kryesorë, e njëkohësisht dolën pak edhe në tregun e futbollistëve.
Me këtë rast, ata i siguruan shërbimet e shtatë futbollistëve. Fjala është për Erdin Hashanin (Drita), Florent Sejdiun (Drita), Isuf Sejdiun (pa ekip), Agron Beqirin (Trepça ’89), Emin Baliqin (Trepça ’89), Yll Ramadanin (Flamurtari), Visar Sermaxhajn (Drita). Ndërsa, janë shumë afër ta angazhojnë edhe Liridon Ahmetin.
Mirëpo, deri më tash vetëm Hashani e Baliqi ia kanë dal ta fitojnë besimin e Shefqet Kurti. “Prej këtyre përforcimeve vetëm Hashani e Baliqi e kanë gjet vetën. Kështu që ekipi i parë i Trepçës thuajse mbetet i njëjtë si ai i edicionit të kaluar, por unë shpresoj që edhe lojtarët e tjerë të ardhur do t’ia dalin të inkuadrohen siç duhet. Këtë e kam vërejt në përgatitjet e deritanishme dhe nga disa ndeshje miqësore, të cilat megjithatë i kemi kryer me sukses”, theksoi Kurti.
Megjithatë, ai është i bindur se në edicionin e ri Trepça do të jetë një skuadër shumë më e fortë sesa në kampionatin e kaluar, derisa pret shumë nga ‘xhokeri’ i tij, Shpëtim Babaj.
“Të mendojmë për trofe nuk është reale, por kjo do të thoshte të ëndërrosh. Nuk kemi ekip për trofe. Por, objektivi ynë është mesi i tabelës, eventualisht pjesa e epërme e tabelës. Duam ta luajmë një rrol të rëndësishëm në Superligë. Shpëtim Babaj besoj se do të jetë bartësi i ynë dhe nëse e mban formën që e ka sot, do të jetë më i dalluari në Superligë”, , theksoi ai, duke e përgëzuar edhe kryesinë e klubit për punët që po i bëjnë.
“Kryesia është shumë më e angazhuar sesa edicionin e kaluar, e po ashtu ne trajnerët e lojtarët. Jemi stabilizuar nga ana financiare, andaj jemi optimist se nuk do të kemi asi probleme sikurse vjet”, përfundoi Kurti. Ndeshjen e parë kampionale Trepça do ta zhvilloj në kryeqytet ndaj Prishtinës, njëri ky prej dueleve kryesor të xhiros së parë.