E Shtunë, 31 Tetor 2026

BUXHETET VENDORE DHE TRANSPARENCA

Një javë më parë, Projekti Ndërkombëtar i Buxhetit, me bazë në SHBA, publikoi Indeksin e Transparencës Buxhetore (http://www.openbudgetindex.org), një indeks i rëndësishëm që nuk kaloi pa jehonë edhe në mass-median vendase. Sikurse dihet, ky indeks vlerëson cilësinë dhe tipat e informacioneve të vlefshme për publikun në dokumentet buxhetore të vendeve të ndryshme (88 vende gjithsej), ndërsa Shqipëria u rendit në vendin e 37 me një përmirësim të lehtë nga indeksi i vitit të mëparshëm. Përtej politizimit, tashmë "tradicional", të indekseve të ndryshme që publikohen rregullisht, mendoj se ia vlen të ndalemi në aspektin teknik të tij, d.m.th. të shohim se çfarë i mungon në të vërtetë buxhetit të qeverisë sonë dhe a ka ndonjë lidhje përshkrimi i dhënë në këtë indeks me debatet në disa këshilla bashkiakë e komunalë, me rastin e diskutimit të buxheteve të tyre në fillim të këtij viti.

Të dhënat tregojnë se gjatë gjithë dekadës së fundit, me gjithë përmirësimet e shënuara në aspektet teknike të hartimit dhe të zbatimit, buxheti shqiptar vuan mungesën e transparencës nga ana e qeverisë, në cilësinë dhe sasinë e informacionit që i serviret publikut në lidhje me drejtimet e përdorimit të të ardhurave buxhetore. Në procesin e hartimit të buxhetit, në vendin tonë vihet re se buxheti i propozuar i shtetit, me gjithë përcaktimet e qarta ligjore mbi procedurën dhe afatet e shqyrtimit e miratimit të tij, përgjithësisht shihet si një proces i ngushtë teknik dhe pak, ose aspak i lihet hapësirë njohjes dhe debatimit publik në lidhje me përmbajtjen e tij (nuk e kam fjalën këtu për fjalimet propagandistike disaorëshe të Kryeministrit Berisha në momentin para votimit të tij në Kuvend).

Në të vërtetë, në kohë paqeje diskutimi dhe miratimi i buxhetit mbetet padyshim një ndër ligjet më të rëndësishme në një vend demokratik dhe nuk besoj se për deputetët mund të ketë detyrë më të rëndësishme se marrja e vendimeve mbi drejtimet e përdorimit të fondeve buxhetore dhe kontrolli nga ana e tyre - në emër të qytetarëve që i kanë mandatuar - i zbatimit të këtij buxheti. Madje, këto vitet e fundit edhe "përtypja" e informacionit që Ministria e Financave u përcjell të mandatuarve të popullit (deputetëve) bëhet edhe më e vështirë, për shkak të nxitimit të qeverisë dhe Kryeministrit për të shpallur si "debat politik" (në shqip, dokrra) çdo sugjerim të opozitës për rishikim, plotësim a përmirësim të tij në procesin e miratimit të buxhetit.

E njëjta gjë mund të thuhet mbi mënyrën e raportimit dhe të informimit mbi mbledhjen e të ardhurave buxhetore. Madje, në këtë të fundit, vështirësitë e publikut për të kuptuar se ç‘ndodh rriten edhe nga analizat pjesore e të politizuara, ngaqë qeveria bën kujdes maksimal për të demonstruar "sukseset e veta" deri në absurdin e "qindra miliona eurove të kursyera nga prokurimi elektronik"; për qindra milionë të tjerë që ajo (qeveria) i "paska hequr nga llogarite e mafies qeveritare të mëparshme" etj., pa thënë se në ç‘mënyrë janë matur këto "arritje spektakolare" të saj dhe si reflektojnë ato në shtimin përtej buxhetit vjetor, të miratuar, të shtetit. E në fakt, nëse shihen p.sh. të dhënat e agjencive qeveritare mbi të ardhurat buxhetore nga pasuritë e sekuestruara prej veprimtarive e elementëve kriminalë (d.m.th. pasuritë e vëna në rrugë të paligjshme, pjesë e të cilave duhej të ishin edhe "paratë e grabitura nga qeveritë e mëparshme") ato rezultojnë të jenë disa qindra herë më të ulëta nga deklarimet ndërkombëtare të vetë Kryeministrit Berisha…

Mungesa e transparencës arrin deri atje sa për shumicën e shqiptarëve nuk është ende e qartë, nëse janë derdhur sipas ligjit në Thesarin e Shtetit paratë e deklaruara prej qeverisë së shitjes së aseteve publike qindra miliona euroshe, përderisa në Kuvend nuk është propozuar ende nga qeveria destinimi i përdorimit të tyre dhe as janë trajtuar si të ardhura buxhetore të vitit përkatës (2008) etj. Një fat të njëjtë të dyshimtë mund të pësojnë edhe disa privatizime të tjera që qeveria po nxiton "t‘i mbyllë" para zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009…

Po kështu, as që mund të bëhet fjalë për raportim të qeverisë mbi zbatimin e tij në mes të vitit, pa folur që raportimi kushtetues në Kuvendin e Shqipërisë i KLSH-së mbi zbatimin e buxhetit të vitit paraardhës kalon në mënyrë rutinë, përgjithësisht duke referuar një problematikë të ngjashme nga njëri vit në tjetrin. Qeveria ishte dhe mbetet e pandjeshme ndaj sugjerimeve për përmirësimin e zbatimit të buxhetit, rrugët e rritjes së performancës së fondeve publike dhe të huave të huaja, që shpenzohen në ekonominë tonë kombëtare. Nuk mund të gjesh asnjë akt qeveritar, të nxitur nga përfundimet e kontrolleve të agjencive ligjzbatuese a kontrolluese, siç është edhe KLSH-ja. Pikërisht këto janë disa nga problemet kryesore, që përshkruan në mënyrë sintetike indeksi në fjalë.

Tani të vijmë te debati publik në disa bashki e komuna, si në Tiranë, Korçë etj., në lidhje me diskutimin dhe miratimin e buxhetit vjetor të vitit 2009. E përbashkëta e këtyre debateve është nxitimi i stafeve ekzekutive të njësive vendore për të miratuar buxhetin në formën e ofruar prej tyre; politizim i debatit nga përfaqësuesit e partive në pakicë të këshillave bashkiakë e komunalë, shkurt një zhvendosje nga problemet aktuale të qytetarëve. Sidoqoftë, duke marrë shkas edhe nga metodika dhe treguesit e përdorur në përgatitjen e Indeksit të Transparencës Buxhetore mund të thuhet pa mëdyshje se qeveritë vendore në vendin tonë po "vuajnë" të njëjtën të qeverisë qendrore: transparencën e pamjaftueshme, mungesën e standardeve në prezantimin e buxhetit për publikun dhe të mandatuarit e tij (këshilltarët); mosrespektim të kuadrit ligjor në lidhje me dokumentacionin e nevojshëm për paraqitjen e buxhetit (mungesa e listës së veprave për financim, debate të pamjaftueshme për përparësitë e investimeve, zhvillimin e biznesit të vogël etj.). Pasojat e kësaj situate tashmë dihen: vonesa në kryerjen e investimeve të parashikuara, shkrehje në administratën vendore, lodhje të qytetarëve me debate shterpë, që nuk sjellin punë, ujë, drita, shpresë për një jetë më të mirë etj. Ndoshta ngaqë vendi ka hyrë në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, pushteti vendor po politizohet nga dita në ditë, duke u larguar kështu nga funksionet bazë ligjore dhe komunitare të tij. Në interes të qytetarëve do të ishte respektimi i statusit të të zgjedhurve vendorë: marrja me menaxhimin e interesave themelore të komunitetit, ushtrim kontrolli mbi performancën e përdorimit të taksave të qytetarëve në nivel vendor.

Ndonëse debatet e javëve të fundit kanë shërbyer për të sjellë në vëmendjen e qytetarëve buxhetin me përparësitë e tij për vitin që sapo ka nisur, çfarëdo politizimi i mëtejshëm i tyre veçse nxit shpërdorimin e fondeve publike. Madje, ky politizim i shndërron grupet e këshilltarëve bashkiakë e komunalë në zbatues të verbër të urdhrave politikë, larg shpresave të komuniteteve qytetare, që i kanë mandatuar dhe, më larg akoma, detyrimeve ligjore të tyre në "parlamentet" vendore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›