E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mishel, një Zonjë e Parë në "Vogue"

Gjysmë e shtrirë në një divan, e veshur me një fustan ngjyrë rozë që thekson më së miri format e saj elegante trupore, Mishel Obama duket më e ëmbël se kurrë në kopertinën e "Vogue", revistës më të madhe në botë kushtuar modës dhe tendencave të saj. Edhe ajo, më pak se një muaj pas të shoqit, është kurorëzuar si përfaqësuesja e feminilitetit amerikan, pas gjithë dyshimeve dhe sekreteve të fillimit mbi "afrikanen e parë" në Shtëpinë e Bardhë. Slogani tani ka ndryshuar, nuk është më "Yes, you can", por "Yes, Vogue can". Ishte pikërisht "Vogue" ajo që mendoi për të ndryshuar imazhin e Zonjës së Parë. Mishel është zgjedhur nga drejtoresha e "Vogue", 60-vjeçarja Ana Vintour, e cila që nga 1988 u mëson stilistëve dhe modeleve sekretet e modës. Si mbështetëse e flaktë e Barak Obamës, Ana, "djalli i veshur me Prada", londinezja që nuk përfundoi universitetin për shkak të dëshpërimit të të atit, duhet ta ketë kuptuar se duhej bërë diçka për të ringritur imazhin e Zonjës së Parë dhe për të ndihmuar të shoqin që prej 20 janarit merret me problemet më të mëdha me të cilat është ndeshur Amerika ndonjëherë. Me pak fjalë, gra që ndihmojnë meshkujt në nevojë, Ana dhe Mishel. Pikërisht, kështu bëri edhe 11 vjet më parë vigania e "Vogue", kur bindi një tjetër Zonjë të Parë të pozonte për kopertinën e "Vogue", me një fustan të gjatë të zi deri në fund të këmbëve, ndërsa bashkëshorti Bill po kalonte një nga periudhat e tij më të vështira, në Krishtlindjen e vitit 1998. Edhe atëherë, Ana Vintour, që ndryshe e quajnë "Nuklear Wintour", për shkak të karakterit të saj shpërthyes, arriti ta zhvishte Hilarin nga kostumet e saj me xhaketa dhe pantallona, e ta vishte me një fustan të mrekullueshëm "Ralph Lauren". "Feminizmi" i përkohshëm i Hilarit funksionoi për të ringritur imazhin e një martese në ferrin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 1998 dhe për ta shpëtuar Billin nga "dënimi". Të njëjtin operacion "Vogue" po bën sot me Mishelën, gjithmonë e kritikuar për gardërobën e saj, që nga fustanet shumë agresive që veshi ditën e fitores, deri te kostumi i verdhë i veshur ditën e betimit. Pikërisht këtë të fundit stilistët dhe ekspertët e modës e cilësuan si copë për mbulesë divani. Madje edhe fustani i bardhë deri në fund të këmbëve që veshi në darkë për ballon zyrtare nuk i la shije të mirë askujt. Në foton e zgjedhur për kopertinën, avokatja shumë e zonja dhe e diplomuar shkëlqyeshëm, Mishel Lavaugh Robinson Obama, për një çast shfaqet larg diplomave, masterave apo specializimeve. E ëmbël, e bukur dhe pak agresive njëkohësisht, Mishel rrezaton më shumë elegancë se gjithë zonjat e tjera të para që kanë qenë në Shtëpinë e Bardhë. Laura Bush nuk arriti dot ta bënte këtë që po bën Mishel Obama. As Barbara Bush, Nensi Regan, apo Rozalin Karter, që edhe pse në moshë të re, nuk mundi kurrë të bëhej pjesë e ndonjë kopertine reviste mode, edhe pse me një bukuri të brishtë dhe modeste, si vajzë provinciale. Për të risjellë stilin do të duhej që në Shtëpinë e Bardhë të shkelte Zhaklinë Kenedi. Ishte pikërisht ajo që u bë Zonja e Parë më e dashur në botë për stilin dhe mënyrë e të veshurit dhe njëkohësisht bashkëshortja që e çmendte të shoqin me pazaret e saj të shfrenuara. Stili barok i Mishelës është shumë larg nga ai gotik i Zhaklinë Kenedisë, por kontributi politik i këtyre grave në politikë sigurisht që është i rëndësishëm. Të gjithë e kujtojnë rolin e Hilari Klintonit në skandalin e të shoqit me Monika Levinskin. Edhe Mishel e ka treguar më së miri këtë. Në momentet më të rëndësishme të jetës së tyre në çift, ajo kurrë nuk e ka braktisur të shoqin, veçse i ka dhënë mbështetje të vazhdueshme. Ndoshta shumë pak e dinë, por një nga stilistët që ka bërë për vete edhe Zonjën e Parë amerikane me ngjyrë është Thakon Panigul. Ai është me origjinë aziatike, ka lindur në Tajlandë, është 34 vjeç dhe jeton në Shtetet e Bashkuara që kur ishte tetë vjeç. Thakon është krenar që vesh Mishel Obama-n dhe në celularin e tij ruan fotot e saj me veshjet e thjeshta dhe elegante, me copa me trëndafila dhe lule shumëngjyrëshe. Ai stilon në Nju Jork, ku ka edhe një numër të madh fansash dhe ka bashkëpunuar me "Hogan", firmë e drejtuar nga Diego Della Valle. Pasionin për modën e ka pasur në gjak që kur ishte i vogël. Mamaja dhe gjyshja e tij kanë qenë rrobaqepëse profesioniste dhe ai luante gjithmonë mes rrobave dhe fustaneve. "Duke i parë ndërsa punonin, i mësova të gjitha hilet e zanatit", tregon stilisti. Madje jo vetëm kaq. Duke qëndruar përkrah tyre mësoi të qepte aq mirë, saqë sot është në gjendje të bëjë një veshje nga fillimi deri në fund. Për t‘u specializuar ka ndjekur studimet në shkollën "Parsons", një nga më të famshmet e Nju Jorkut. Debutimi i tij i parë në botën e modës ishte në vitin 2004, me një koleksion veshjesh që u pëlqyen shumë nga butikët amerikanë me famë. Mishel i ka zgjedhur vetë fustanet që i kanë sjellë fat gjatë fushatës elektorale. I ka marrë nga "Ikram", butiku më i hijshëm i Çikagos, që Zonja e Parë e ka frekuentuar gjithmonë për të bërë pazare, duke alternuar veshjet firmato me ato të blera me çmim më ekonomik, ashtu siç bëjnë shumë gra amerikane. Por, Thakon nuk është i vetmi. Për të dalë në kopertinën e "Vogue" ajo mund të zgjidhte veshje nga stilistët dhe firmat e saj të preferuara mes të cilëve Vu, ai që krijoi kostumin e saj ditën e betimit të Obamës, Narçiso Rodriguez, stilisti i fustanit të natës së zgjedhjeve dhe J.Kruj, veshjet e së cilit i përdor shpesh bashkë me vajzat. Shumë modeleve që dalin në kopertinën e revistës, veshjet ju zgjidhen nga vetë "Vogue", ose nga këshilltarët e saj. Por jo kësaj here. "Ajo nuk ka nevojë për ndihmë. Mishel e do modën dhe e di se çfarë i shkon", tregon një nga botuesit e revistës, Andre Leon Tallej. Ajo kurrë nuk më pyeti se çfarë mendoj, më shkon kjo apo ajo veshje. Është kaq paqësore, natyrale dhe normale. Kjo është kopertina më e bukur që kemi parë ndonjëherë në historikun e "Vogue". Modelet pozojnë, aktoret po ashtu. Këtu Mishel është një grua e vërtetë, është origjinale".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›