E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i 17 vjeçarit: Më vranë djalin e vetëm

Një ngjarje e rëndë u shënua të dielën ku tre persona u ekzekutuan në një resort turistik në bregdetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00, në plazhin e kalasë pranë Ujit të Ftohtë në Vlorë.

Një prej viktimave ishte edhe djali i Agron Bajlozit, efektiv Policie në Përrenjas, në një gjendje mjaft të rëndë psikologjike u shpreh dje për gazetën Panorama se fillimisht ai u njoftua se djali i tij i vetëm ishte qëlluar me një plumb në kokë në plazh, aty ku ndodhej prej disa ditësh me të motrën.

“Ma vranë djalin 17 vjeç në plazh. Kishte shkuar për qejf te halla e tij, por ja që ndodhi gjëma”. Ai nuk mund të mbajë lotët, ndërsa dhimbja tejkalon gjithçka. Para oborrit të morgut, dje ishin mjaft të afërm të viktimës Serdi Bajlozi. Veç tronditjes që u kishte dhënë ngjarja, ata përjetuan mjaft rëndë edhe vonesën sipas tyre për tërheqjen e trupit, duke dalë edhe në akuza ndaj morgut të qytetit. Deri në orët e mbrëmjes, trupi i 17-vjeçarit ende nuk u ishte dorëzuar familjarëve. Ndërkohë që kuja dhe morti kishte nisur që pas tragjedisë së rëndë.

Babai i adoleshentit të vrarë u shpreh se i biri kishte qenë viktimë e rastësishme dhe se ai nuk kishte njohje me shënjestrën.

Z.Bajlozi, si e mësuat ngjarjen, viktimë e së cilës ishte edhe djali juaj?
Mua më telefonoi motra ime, që jeton në Vlorë. Djali kishte ardhur në Vlorë me pushime prej disa ditësh te halla e tij. Edhe sot kishte shkuar si çdo ditë tjetër në plazh. As që më shkonte ndërmend se do të ma vrisnin djalin e vetëm. Ai kishte ardhur për qejf, e kishte me shumë dëshirë që të kalonte disa ditë pushime këtu në Vlorë.

Si ka ndodhur ngjarja? Si jua kanë thënë juve?
Kishte pasur zhurmë atje, rrëmujë. Kur është qëlluar për dikë tjetër, plumbi ka prekur edhe tim bir gabimisht.

Ju keni pasur konflikte apo ndoshta djali juaj?
Absolutisht jo. Djali im ishte shembullor dhe ishte vetëm 17 vjeç. Ishte ende nxënës. Nuk ka lidhje kjo vrasje fare me ne. Serdin e kanë kapur plumbat gabimisht dhe kjo më vret edhe më shumë. Kur ke probleme, ia bën hallall tjetrit edhe të të vrasë. Po të ma vrasin tim bir kot së koti, teksa kishte ardhur për plazh te halla e tij, kjo është shumë e rëndë.

Po me viktimat e tjera kishte lidhje djali juaj?
Jo, as na njihnin e as i njihnim. S’kishte lidhje me askënd.

Në këto kushte, çfarë i kërkoni drejtësisë?
Kërkoj që të zbardhet ngjarja në detaje. Dua të gjendet autori. Ma vrau djalin pa faj. Dua që të zbardhet e vërteta. Dua që shpirti i tim biri të prehet i qetë. Të paktën ta di cila dorë shtiu mbi të. Më iku djali në lule të rinisë, në zemër të jetës. Pse? Se shkoi në plazh? Se shkoi me pushime te halla? Më thoni pse? Jam keq dhe nuk po arrij ta besoj këtë që më ka ndodhur. Unë jam edhe vetë efektiv i Policisë dhe do bëja të njëjtën gjë për këdo; do luftoja për të zbardhur të vërtetën. Këtë dua edhe nga autoritetet e kolegët e Vlorës.

Gratë e familjes suaj ishin të irrituara në morg. Çfarë problemi kishit?
Ja çfarë ka shkuar keq. Mirë që m’u vra im bir, e humba, por më duhet të duroj edhe një tjetër dhimbje. Mora vesh që djalin ma kanë hapur në pjesën e barkut, këtu në morg, mjekët ligjorë. Autopsia bëhet kur ata nuk e dinë se nga cilat shkaqe i ka ardhur vdekja. Autopsia nuk bëhet kur shkaku dihet. Të gjithë e dinë që djalin e preku plumbi në fytyrë dhe vdiq nga ai plumb. Jo, kjo është papërgjegjshmëri dhe shkelje e ligjit. As na kanë pyetur fare dhe as na lënë që të hyjmë brenda. Prandaj ne nuk e tërheqim djalin nga morgu, derisa t’i bëhet një skaner i përgjithshëm për të parë të gjitha organet e tij, nëse janë në rregull apo jo./Panorama/Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›