E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selimi në spital, Lushtaku në burg

Pasi i kaloi vetëm gjashtë ditë në QKU, kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku është kthyer në Burgun e Dubravës. Me vendim të gjyqtarit të EULEX-it, ai është transferuar nga spitali në Qendrën e paraburgimit në Dubravë, ku gjendet nga muaji maj si i dyshuar për krime lufte për periudhën e vitit 1999.

Për dallim nga Lushtaku, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, pas një ndërhyrje kirurgjike që ka pasur ditë më parë për largimin e gurëve në idhëz, po vazhdon të trajtohet në QKUK.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri”, avokati i Lushtakut, Korab Sejdiu, sipas të cilit, klienti i tij, pas kryerjes së disa rezonancave magnetike në QKUK dhe ekzaminimeve mjekësore me vendim të gjyqtari është kthyer në Burgun e Dubravës.

Ndërkaq, Tomë Gashi, avokat i ambasadorit Sylejman Selimi, ka thënë se klienti i tij vazhdon trajtimin mjekësor në QKUK, pasi ditë më parë i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik të largimit të gurëve në idhëz./Zëri/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›