E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Bleonës: Do të iki në emigracion

Zamir Mata refuzon bashkimin me ish-gruan Bukurien, ndërkohë që pritet të vendoset në gjykatë për kujdestarinë e djalit

KUKËS Është mbajtur seanca e radhës gjyqësore për divorcin i prindërve të vogëlushes Bleona Mata nga fshati Zapod i Kukësit. Seanca e cila u zhvillua me dyer të mbyllura dhe që zgjati rreth 2 orë nuk arrit të bashkonte çiftin Zamir dhe Bukurie Mata(Veizi). Pas daljes nga seanca gjyqësore, babai i Bleonës deklaron se ne nuk mund të vazhdojmë më bashkë dhe nuk ka se çfarë kërkon në Zapod. I lodhur nga rruga e gjatë të cilën e ka përshkuar me këmbë së bashku me vëllanë e tij, për shkak të bllokimit të rrugës, nga shkatërrimi i familjes, por edhe nga e keqja më e madhe ajo e mosgjetjes së vajzës, ai gjen forcën për të thënë se “vetëm gjetja e Bleonës do ta lumturonte. Unë nuk do të jetoj më as në Zapod, do të shkoj emigrant, do vazhdoj të punoj, por nuk do ndalem së kërkuari vajzën time, për të cilën kam sakrifikuar shumë. Jam munduar për ta rritur me gjitha të mirat. Nuk mund të vazhdoj të jetoj me një grua si ajo, që di të flas bukur për mediat, ‘spikeren e mediave’ (siç e cilësoi ai) dhe që nuk mundi të kujdesej për vajzën. Nuk kam se çfarë të them tjetër, jeta ime u shkatërrua vetëm nga ajo (tregon me gisht drejt ish-bashkëshortes së tij), përfundon Zamiri, babai i Bleonës së zhdukur që nga 22 maji i vitit të shkuar. Ndërsa mamaja e Bleonës, Bukuria, thotë se kam nevojë të jetoj e lumtur me fëmijët e mi dhe se nuk i intereson më asnjë akuzë që i është bërë nga ish-bashkëshorti i saj Zamiri. Në 22 maj Bleona Mata, vogëlushja nga Zapodi i Kukësit, humbi në mënyrë të mistershme. Nga ajo ditë dhe deri më sot asnjë pistë zyrtare apo një informacion konkret dhe i saktë nuk është dhënë për fatin e saj. Duket se kjo çështje e zhdukjes së 7-vjeçares do të vazhdojë dhe më gjatë me akuza dhe kundërakuza, ndonëse asnjëra prej tyre nuk do të çojë në gjetjen e saj. Ndërkohë, i pyetur për zbardhjen e fatit të Bleonës, drejtori i policisë së qarkut, Sadri Ramcaj, tha se "Policia po heton intensivisht dhe në bashkëpunim dhe me ekspertët e krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe asaj të Kukësit për të zbardhur fatin e vogëlushes Bleona Mata. Çifti Mata ka bërë tri seanca gjyqësore deri tani. Ka qenë Bukurija që ka depozituar një padi për divorc, ndërkohë që Zamir Mata e akuzoi atë se kishte gisht në zhdukjen e vajzës dhe në tradhti bashkëshortore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›