Burgaj, letër Prokurorisë: Ja pse nuk i ndalojmë gardistët
Policia dhe Prokuroria shkëmbejnë letër-këmbime për urdhër-ndalimet e oficerëve të Gardës. Policia: Nuk i ekzekutojmë se ka lapsuse dhe gabime në gjenealitete. Prokuroria riformulon urdhër-ndalimet dhe ia dërgon sërish Policisë së Shtetit
Tiranë Marrëdhëniet Polici-Prokurori vazhdojnë të mbeten të tensionuara, edhe pse duken shenjat e para të komunikimit, të paktën në kanalet zyrtare. Dy ditë më parë, drejtuesit e Policisë së Shtetit, nëpërmjet një letre i kanë shpjeguar Prokurorisë arsyet përse nuk u ekzekutuan urdhër-ndalimet ndaj gardistëve të dyshuar për tre vrasjet gjatë demonstratës. Mungesa e reagimit nga ana e policisë për urdhër-ndalimet e Prokurorisë, është pasuar dje nga një tjetër komunikim zyrtar mes këtyre institucioneve, duket tentuar kështu të zhbllokojnë situatën e krijuar, e cila është cilësuar si e paprecedentë. 48 orë pasi Prokuroria kishte kërkuar ndalimin e 6 gardistëve, drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, i ka dërguar një letër Prokurorisë së Tiranës, ku shpjegon arsyet përse nuk u zbatuan këto vendime. Në përgjigje të shkresës, organi i akuzës u ka ridërguar dje strukturave të policisë urdhrat e ndalimit, këtë radhë me identitete të sakta e pa lapsuse. Lajmi konfirmohet nga burime të rezervuara, të cilat thanë se prej dy ditësh Prokuroria ka korrespondencë zyrtare më Policinë e Shtetit, e cila nëpërmjet një shkrese zyrtare ka treguar arsyet përse nuk është bërë i mundur zbatimi i urdhrave të prokurorit. Sipas burimeve, mësohet se një nga arsyet kryesore të policisë kanë qenë disa gabime në gjenealitetet e personave, që sipas akuzës dyshohet se kanë urdhëruar apo qëlluar ndaj demonstruesve më datën 21 janar. Në letër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë thotë se urdhër-ndalimet nuk janë ekzekutuar për shkak të gabimeve në gjenealitetet e personave të kërkuar nga Prokuroria dhe lapsusit me emrin e komandantit të Gardës. Emri i Ndrea Prendit, gabimisht ka mbetur në disa prej urdhër-ndalimeve të tjera, duke iu shtuar kështu arsyeve të përligjura nga policia për mosekzekutimin e vendimeve të akuzës. Në përgjigje të kësaj shkrese, ditën e djeshme, Prokuroria ka rikërkuar zyrtarisht nga drejtuesit e Policisë ekzekutimin e këtyre urdhrave për ndalimin e gardistëve të dyshuar. Për të lehtësuar punën e policisë, prokurorët e çështjes kanë korrigjuar dje vendimet e tyre të mëparshme dhe ia kanë ridërguar policisë për ekzekutim. Pas këtij komunikimi, burimet shprehen se këtë radhë Policia nuk ka asnjë arsye përse të mbajë pa ekzekutuar vendimet e prokurorit, të cilat do të vlerësohen nga gjykata nëse janë të ligjshme apo jo. Bashkangjitur shkresës, ku i kthehet përgjigje policisë, Prokuroria ka ridërguar edhe 6 urdhrat e ndalimit për komandantin e Gardës së Republikës, gjeneral Ndrea Prendi dhe pesë vartës të tij. Sipas Prokurorisë, të dyshuar për vrasje e tejkalim kompetencash janë komandanti i njësisë nr. 2, kolonel Dashamir Shehi; komandanti i njësisë speciale, Alfred Ahmetcenaj; nënkapiten Altin Kollçinaku dhe gardistët Fatos Bushati e Vladimir Dedaj. Pas komunikimit zyrtar, Prokuroria thotë se nuk ka asnjë arsye për moszbatimin e vendimit të saj në lidhje me ngjarjen e 21 janarit, ku humbën jetën tre demonstrues. Burimet thanë se në rast mosekzekutimi të urdhrave të Prokurorisë, atëherë do të nisë procedimi penal ndaj drejtuesve të policisë, që nuk kanë zbatuar detyrën. Komandanti i Gardës dhe vartësit e tij dyshohet se kanë dhënë urdhër për të qëlluar protestuesit përpara Kryeministrisë, pasditen e 21 janarit, ku humbën jetën 3 persona dhe 7 të tjerë u plagosën me armë zjarri. Kërkesa për ndalimin e drejtuesve të Gardës, sipas Prokurorisë, u bë pas verifikimit të një sërë provash, që nga filmimet e deri te dëshmitë e të plagosurve, apo personave të tjerë që pranishëm në demonstratë, që deklaruan se plumbat erdhën nga gardistët e vendosur përreth godinës së Kryeministrisë.