E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngricat dhe dëbora bllokojnë rrugët

Policia rrugore në Elbasan i ka këshilluar drejtuesit e mjeteve të mos kalojnë nga Qafa e Kërrabës, por nga Durrësi, për të ardhur në kryeqytet

Situata është përkeqësuar dje edhe më shumë në Qarkun e Dibrës, sidomos në disa zona, te të cilat raportohet se trashësia e borës ka arritur deri në një metër dhe akset rrugore nacionale dhe rurale janë pushtuar nga akulli. Reshjet e dendura të dëborës dhe ngricat kanë bllokuar një numër të madh fshatrash malorë në të tri rrethet, Dibër, Bulqizë dhe Mat, ndërkohë që ka pasur vështirësi në qarkullimin e automjeteve edhe në aksin rrugor nacional Peshkopi-Burrel. Në këtë aks, dje mund të lëvizej vetëm me zinxhirë. Madje policia rrugore kishte ngritur postblloqet në afërsi të pikave të rrezikshme dhe nuk lejonte poseduesit e makinave të vijonin lëvizjen pa zinxhirë. Ndërmarrja e rrugëve nacionale sqaroi se firmat që kanë marrë përsipër mirëmbajtjen e rrugës nacionale kanë hedhur sasi të konsiderueshme kripe dhe skoriesh, për të lehtësuar lëvizjen e makinave. Deri rreth orës 10:00, shoferët nuk kanë lëvizur, duke pritur rritjen e temperaturave dhe shkrirjen e akullit në rrugë. Temperaturat e ulëta, sidomos në hije, krijuan shtresa të rrezikshme akulli në segmentin Peshkopi-Qafa e Buallit. Po kështu është vështirësuar qarkullimi edhe në akset rrugore nacionale Peshkopi-Kukës dhe Ura e Çerenecit-Klenjë-Librazhd. Komunat që konsiderohen të bllokuara plotësisht janë Lura dhe Kalaja e Dodës në Rrethin e Dibrës, Ostreni, Martaneshi, Trebishti në rrethin e Bulqizës, ndërkohë janë raportuar të izoluar një numër i madh fshatrash të këtyre rretheve. Mësohet se në fshatrat malorë ka qenë e pamundur të zhvillohet mësim, pasi trashësia e borës nuk i ka lejuar fëmijët të frekuentojnë mësimin. Në qytetet Bulqizë e Peshkopi, lartësia e borës ishte afro 60 cm, por bashkitë përkatëse kishin marrë masa për pastrimin e rrugëve dhe furnizimin e shkollave me dru zjarri. Në qytetin e Burrelit, punëtorët e pastrimit dhe gjelbërimit të qytetit kanë pastruar akullin gjatë ditës së djeshme.

Elbasani

Temperaturat disa gradë nën zero kanë sjellë sërish probleme në akset nacionale që lidhin Elbasanin, por edhe Shqipërinë Verilindore me Tiranën, me anë të Qafës së Thanës, dhe gjithë pjesën tjetër të vendit me Pogradecin, Korçën, Kapshticën e më gjerë. Sa i përket aksit Librazhd-Peshkopi është mjaft e vështirë që të kalohet. Gjatë orëve të natës, ngricat kanë krijuar terren mjaft të rrëshqitshëm në disa pjesë të korridorit Lindje- Perëndim, veçanërisht në Qafthanë, Qukës, Prrenjas, Hotolisht, Kthesat e Murrashit etj. Qafë-kërraba ka qenë e vështirë në disa vende, si në vendin e njohur “Qershiat”, “Kilometri 29”, ”Pishat” etj. Këto akse janë monitoruar nga drejtoria e Mirëmbajtjes së Rrugëve Nacionale, e cila ka hedhur vazhdimisht kripë dhe ka mbajtur në dispozicion borëpastruese. Gjatë ditës së djeshme, akset e mësipërme kanë qenë të kalueshme me zinxhirë. Policia e qarkullimit rrugor nuk ka lejuar që të qarkullojnë automjete pa zinxhirë dhe mjaft prej tyre janë devijuar nga Durrësi. Situatë më e rënduar paraqitet në disa fshatra të thellë malorë të prefekturës së Elbasanit. Kështu në fshatrat e komunave Stravaj, Rrajcë, Qukës, Komuna Qendër, Polis etj, trashësia e dëborës ka arritur deri në 80 cm. E njëjta situatë është krijuar edhe në fshatrat e Gramshit, si në komunat Kodovjat, Lenie, Skëndërbegas, Poroçan. Në Elbasan probleme kanë pasur komunat Zavalinë dhe Labinot Mal. Në këto fshatra, veç borës, problem më i madh janë ngricat të cilat vështirësojnë lidhjen e zonave rurale me qendrat urbane. Këtu ka mobilizim të strukturave të pushtetit lokal, komunitetit si dhe drejtorisë së Mirëmbajtjes së rrugëve rurale. Sipas shtabit të emergjencës në prefekturë, situata është nën kontroll.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›