E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Ekspertë nga SHBA për hetimin e 21 janarit

SHKRUAN: Leonard Bakillari 26-01-2011 13:46

Kryeprokurorja Ina Rama merr premtimin e ambasadorit Arvizu për bashkëpunim në hetimin e demonstratës, ku u vranë 3 qytetarë. “ Ekzekutimi i urdhër-arresteve do të na ndihmonte në zbardhjen e vrasjeve. Akuzat për puç, politike”

Tiranë Në një situatë të rënduar politike, ku personalisht është gjendur nën sulmet e vazhdueshme të Kryeministrit, prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hetimin e plotë të ngjarjes, ku mbetën të vrarë tre demonstrues. Në prani të ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, Ina Rama tha nga institucioni që drejton, se ka kërkuar ndihmë për ekspertizën e ngjarjes së 21 janarit, për të garantuar një rezultat hetimi të besueshëm. Gjatë konferencës për shtyp, kryeprokurorja iu përgjigj interesimit të mediave për ngërçin mes institucionit të saj dhe Policisë së Shtetit lidhur me mos ekzekutimin e urdhër-ndalimeve ndaj drejtuesve të Gardës. Kryeprokurorja deklaroi se kjo ngjarje do të zbardhet me ndihmën e SHBA-ve, për një sërë arsyesh që pasuan trazirat përpara Kryeministrisë. “Jemi të ndërgjegjshëm se hetimi i këtyre ngjarjeve paraqet veçanti dhe vështirësi, për shkak të kompleksitetit të pasojave të ardhura, përfshirjes së strukturave shtetërore të ngarkuara me sigurinë e institucioneve publike dhe të rendit publik, të nevojës së hetimit të nxitësve të dhunës si dhe për shkak të ndjeshmërisë së lartë të opinionit publik dhe vetë situatës politike në të cilën po kalon vendi”- tha kryeprokurorja, e cila paraqiti të gjitha arsyet përse iu drejtua Ambasadës Amerikane për kërkesën për ndihmë. Sipas saj, për të gjitha arsyet e përmendura dhe njëherësh duke çmuar si tepër të rëndësishëm hetimin objektiv, kryeprokurorja tha se ky hetim duhet të jetë i gjithanshëm dhe profesional. “Duke ndjerë detyrimin ligjor dhe përgjegjësinë për mbarëvajtjen dhe rezultatet e hetimit dhe duke pasur besimin e plotë në ndihmën serioze dhe efektive të ofruar në vazhdimësi nga partnerët tanë në SHBA, Prokuroria Shqiptare e gjen me vend t’u kërkojë atyre të na mbështesin në hetimin e kësaj çështjeje nëpërmjet dhënies se një asistence teknike”- tha kryeprokurorja. Vetëm pak çaste më pas, diplomati amerikan, i pranishëm në konferencën e kryeprokurores, parimisht ofroi mbështetjen e vendit të tij, edhe pse pohoi se çështja duhet diskutuar në detaje teknike. Gjatë fjalës së saj dhe interesimit të medias, kryeprokurorja që shfaqej në këtë konferencë pas një mungese të gjatë para mediave, komentoi disa nga zhvillimet më të fundit që lidhen me ngjarjen e 21 janarit. E pyetur për urdhër-ndalimet ndaj drejtuesve të Gardës së Republikës, kryeprokurorja tha se ekzekutimi i tyre do të ishte i nevojshëm për hetimet. Kryeprokurorja i quajti deklarata politike akuzat e Kryeministrit për disa politikanë, që sipas tij kanë organizuar grusht shteti, duke thënë se policia mund të referojë në Prokurori materialet që disponon lidhur me një pretendim të tillë.

Zonja Rama, sa e dëmton procesin e hetimit mosekzekutimi i urdhrave të ndalimit ndaj drejtuesve të Gardës së Republikës?

Ne e kemi parë të nevojshëm ekzekutimin e tyre, në momentin që i kemi lëshuar sigurisht. Patjetër do të kishim të dhëna shumë më tepër për hetimin, nëse ato do ishin ekzekutuar.

Zonja kryeprokurore, politika ju ka akuzuar për hetim të njëanshëm. A mund të sqaroni ju lutem, se kujt i jeni referuar për arrestet?

Është folur për arreste, por në fakt janë urdhra ndalimi. Ka diferencë mes urdhrave të ndalimit, të cilat lëshohen për të dyshuar në një vepër, ndërsa arrestet lëshohen për persona që kapen në flagrancë, gjatë kryerjes së një vepre penale. Sigurisht kemi patur motivet tona për të lëshuar ndalimet, që do të thotë se kemi patur dyshime se këta persona kanë qenë të përfshirë në ngjarjen e së premtes. Duhet thënë, është gjithçka për t’u verifikuar më tej dhe vetë pjesa e ekzekutimit të urdhrave të ndalimit do të mund të na ndihmonte për hetimin e çështjes.

Ju jeni akuzuar direkt se jeni pjesëmarrëse në një grusht shteti. A ka filluar Prokuroria hetimet për një grusht të mundshëm shteti?

Prokuroria ka filluar hetimet, duke iu referuar ngjarjeve të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka filluar hetimet që lidhen me tre viktimat për vrasjen dhe gjithashtu, të gjitha hetimet e referuara nga policia në materialet që kanë prezantuar në Prokurori, që lidhen me kundërshtimin e punonjësve, goditjes dhe shkatërrimit të pronës. Këto janë nenet për të cilat Prokuroria shqiptare është duke hetuar tani. Konkluzionet rreth ekzistencës së këtyre veprave apo veprave të tjera të mundshme Prokuroria do t’i japë në përfundim të hetimeve.

A ka nisur Prokuroria një hetim për organizatorët e demonstratës?

Prokuroria po bën të gjitha veprimet e para hetimore, për të qartësuar rrethanat e ngjarjes. Veprat për të cilat ne jemi duke investiguar janë ato që deklarova të bazuara në çfarë pasojash kemi hasur në ngjarje dhe çfarë na është referuar nga Policia e Shtetit. Hetimi i mëpasëm do tregojë nëse kemi pasur një aktivitet të ndryshëm nga ky që përshkrova.

Për çështje të rëndësishme, Prokuroria e gjen rrugëdaljen jashtë vendit. Do të thotë se nuk keni besim në aftësitë tuaja?

Së pari, ne i kërkojmë asistencë teknike ShBA-ve, e kemi bërë edhe më parë. Asistenca nuk është një strukturë që mund ofrohet nga prokurorë, oficerë, është një pjesë e procesit hetimor, që ofrohet nga ekspertë në fusha të caktuara. Nuk është përgjegjëse Prokuroria shqiptare për nivelin e ekspertizës, që gjendet në Shqipëri, së pari. Argumenti tjetër është fakti se ne kërkojmë të bëjmë një asistencë teknike të paanshme, me nivel profesional të lartë dhe të gjithë biem dakord që këto çështje të rëndësishme duan dhe meritojnë një asistencë teknike në këtë nivel, pra në nivelin më të lartë të mundshëm për shkak të kompleksitetit dhe impaktit në jetën e vendit.

Urdhër-ndalimet nuk kanë shkuar në Gjykatë, ndërkohë në demonstratë ka patur persona të armatosur, të cilët janë liruar nga gjykata. Cili është komenti juaj?

Nuk marr përsipër të komentoj vendimet e gjykatës. Unë kam dalë sot këtu për të deklaruar se Prokuroria është e vendosur për ta bërë këtë hetim në mënyrë të pavarur, e paanshme, objektive dhe duke tentuar t’i rrisë kredibilitetin. Për këtë kemi kërkuar edhe asistencë teknike nga SHBA.

Sipas jush, a e pengon hetimin e ngjarjes ngritja e Komisionit Hetimor nga Parlamenti?

Komisioni hetimor është vendimmarrje politike, nuk e gjykoj. Hetimi është një çështje e Prokurorisë shqiptare, ai do vazhdojë, pavarësisht diskutimit politik. Është detyra jonë të japë një përgjigje për këtë ngjarje të rëndë.

Kryeministri ka akuzuar zotin Rama, Gjinushi e Ruçi për grusht shtetit. Po hetoni ju për këta persona?

Këto janë akuza të bëra në planin politik. Ne presim që materialet të na referohen, nëse ka nga Policia e Shtetit, siç procedura penale kërkon.

Znj. Kryeprokurore, a ndiheni nën presion nga sulmet e Kryeministrit?

Unë ndihem në pozicionin kushtetues, si Prokurore e Përgjithshme. Di që jam këtu me përgjegjësinë e plotë për të patur një hetim të drejtë, të paanshëm, të plotë. Ky është pozicioni im kushtetues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›