E Diel, 1 Nëntor 2026

Babai i Dajtit në prokurori, interesohet për shëndetin e djalit

TIRANË- Për të dytën herë brenda javës babai i të arrestuarit me tre plumba në trup Dritan Dajti, shtetasi Hasan Dajti, paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet, ku interesohet për shëndetin e djalit të tij të plagosur. Vetëm katër ditë nga vizita e tij e fundit në prokurori, sërish dje rreth orës 11:30 minuta ai ka hyrë në dyert e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe ka kërkuar takim me prokurorët e çështjes ose eprorët e tyre. I gatshëm për takim me babanë e të arrestuarit ka qenë zv\drejtuesi Kostaq Beluri i cili e ka pritur për 15 minuta në zyrë plakun 67- vjeçar Dajti. Mësohet se objekt i kësaj vizita ka qenë shqetësimi i plakut për shëndetin e djalit të tij në lidhje me plumbin që ai ka në trup.

"Interesi i tij ka qenë për shëndetin e djalit dhe rrezikun që mund t'i kanoset Dritan Dajtit nga mos heqja e predhës së plumbit që ka në legenin e këmbës së majtë para. Institucioni i akuzës, nuk është kompetent në ndjekjen e shëndetit të tij dhe ekzaminimin mjekësor, kjo kompetencë është për Spitalin e Burgut, i cili ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme"- mësohet t'i jenë përgjigjur shqetësimit të Hasan Dajtit zyrtarët e institucionit të akuzës. Pas kësaj bisede 15 minutash, babai i Dajtit është larguar nga organi i akuzës, duke u drejtuar për në Spitalin e Burgut për të kërkuar informacion për shëndetin e djalit të tij. Vetëm dy ditë më parë, drejtori i Spitalit të Burgut u shpreh se "Dajti po trajtohet si të gjithë të shtruarit në këtë Spital ku i janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore karshi tij".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›