Topalli u heq makinat deputetëve
Me anë të një urdhri, Kuvendi u ka kërkuar shoferëve të deputetëve që të dorëzojnë makinat
SMS-ja, "Të dorëzoni brenda datës 25.08.09 autoveturën që keni në ngarkim, në parkun e Kuvendit"
Të zgjedhurit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë duhet t'u thonë lamtumirë makinave me pronësi publike dhe shoferëve personalë. Bëhet fjalë, as më shumë dhe as më pak, por për një urdhër të Kryetares ende në detyrë të Kuvendit, Jozefina Topalli, nëpërmjet të cilit u kërkohet të gjithë deputetëve të dorëzojnë brenda datës 25 gusht makinat e tyre që kanë marrë në përdorim prej këtij institucioni, në përputhje me ligjin "Për statusin e deputetit".
Urdhri
Për zbatimin e këtij vendimi, Kryeparlamentarja në ikje Jozefina Topalli, nuk ka preferuar të hyjë vetë në komunikim me deputetët, por nëpërmjet një urdhri të brendshëm, ka ngarkuar Drejtorinë e Shërbimit të Transportit të Kuvendit, që t'u kërkojë shoferëve të deputetëve të dorëzojnë makinat që kanë në përdorim. Në përmbushje të kësaj porosie, drejtoria përkatëse, në mënyrë qesharake dhe aspak serioze, u ka nisur ditët e fundit të gjithë shoferëve të deputetëve nga një mesazh telefonik (SMS), ku ndërmjet tjerave u bën me dije objektin e këtij urdhri, dhe duke e justifikuar atë me përgatitjet që po bëhen për nisjen e legjislaturës së ardhshme, e cila pritet të startojë në shtator.
"Në kuadrin e përgatitjeve të sektorit të transportit për fillimin e legjislaturës së 18-të të Kuvendit të Shqipërisë, të dorëzoni brenda datës 25.08.09 autoveturën që keni në ngarkim, në parkun e Kuvendit. Shërbimi i Transportit të Kuvendit", - thuhet në këtë SMS. Nisur edhe nga praktika e mëparshme, kur edhe janë ndërruar legjislaturat, një vendim i tillë do të kishte vlerë vetëm për ata deputetë, të cilët për arsye të ndryshme nuk mundën të rikonfirmonin më mandatin e tyre, por jo për atë pjesë të parlamentarëve që do të vijojnë edhe në legjislaturën e ardhshme të jenë deputetë. Nuk dihet nëse vërtet qëllimi i këtij urdhri ka të bëjë me përgatitjet për startimin e legjislaturës së ardhshme, ashtu siç thuhet edhe në këtë mesazh, por vetë fakti që një gjë e tillë tentohet të zbatohet për herë të parë, e bën atë të shihet me dyshim nga deputetët, të cilët jo pak herë gjatë kësaj legjislature janë vënë nën presionin e Kryetares së Kuvendit dhe Kryeministrit Berisha, për të shkurtuar shpenzimet e Parlamentit, duke u hequr atyre makinat dhe shoferët personalë.
Statusi
Pavarësisht qëllimit real të këtij urdhri, ai do të ketë vetëm efekte të përkohshme, pasi për të ndryshuar këtë realitet që ekziston për trajtimin e deputetëve, duhet medoemos që të ndryshohet më parë ligji "Për statusin e deputetit", i cili ndërmjet të tjerave përcakton se "deputeti ka të drejtë të pajiset me automjete nga Kuvendi. Shpenzimet për transport (shofer, karburant, shërbime teknike) përballohen nga Kuvendi, sipas kuotave të përcaktuara në vendimin e Kuvendit". Nisur pikërisht nga mbrojtja që u bën ky ligj deputetëve të ndryshëm, pavarësisht se s'kanë dashur të identifikohen, e kanë konsideruar këtë urdhër të paligjshëm dhe, për rrjedhojë, të pazbatueshëm.
Megjithatë, pavarësisht anës formale ligjore, duket se një urdhër i tillë do të ishte i mirëpritur si nga taksapaguesit shqiptarë, ashtu edhe për Buxhetin e Shtetit, i cili do të çlirohej nga një barrë e rëndë që mbarte, si për blerjen, mirëmbajtjen dhe karburantin e makinave të deputetëve. Kështu, vetëm në vitin 2008, Kuvendi bën të ditur në faqen e tij zyrtare në internet, se ka zhvilluar një tender për blerjen e disa fuoristradave me vlerë totale prej 389 milionë lekësh të vjetra. Po ashtu, Kuvendi, në fund të vitit të shkuar, njofton se ka prokuroruar blerjen e një sasie të konsiderueshme karburanti për makinat e deputetëve, në vlerën e 99.6 milionë lekësh të vjetra, pa TVSH.
Trajtimi i deputetëve
Paga 139.590 lekë të rinj
Pagesa për telefonin, 17.000 lekë
Kryetarët e grupeve, 20.000 lekë tarifë celulari në muaj
Për çdo mbledhje komisioni, 2.000 lekë
Dieta ditore për deputetët me banim jashtë Tirane, 5.584 lekë (jo më shumë se 12 ditë në muaj)
Kryetarët e grupeve parlamentare paguhen 5-15 % mbi pagën e deputetit
Makina, 34.000 lekë në muaj (19 mijë karburant dhe 15 shërbime)
Pagesa për një shofer arrin shifrën 60.000 lekë në muaj, ku përfshihen paga, dieta dhe hoteli