E Diel, 1 Nëntor 2026

Merret në pyetje shefi i 4 policëve të vrarë

Arjan Muça dhe nëntë punonjësit e policisë që morën pjesë në operacionin "Dajti" kanë dhënë shpjegime në prokurori

TIRANË- Prokuroria ka marrë në pyetje kreun e zyrës së katër policëve që u vranë gjatë operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit. Drejtori i Hetimit të Krimit të Organizuar, drejtuesi i parë Arian Muça, është pyetur në lidhje me detajet e operacionit që përfundoi në një masakër të vërtetë. Ky lajm konfirmohet nga zyrtaret e institucionit të akuzës, të cilët shtuan se menjëherë pas ngjarjes, përpos pyetjes së nëntë agjentëve që morën pjesë në operacionin e arrestimit të Dajtit dhe që i shpëtuan plumbave të tij, është marrë në pyetje edhe drejtuesi i tyre, Arian Muça. Ky i fundit, mësohet se është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, pasi ishte drejtuesi i operacionit për arrestimin e shumë të kërkuarit Dritan Dajti.

Mësohet se Muça ka shpjeguar para zv\drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda prokuror Henrik Ligori të gjithë planin operacional të vëzhgimit dhe më pas të ndërhyrjes për arrestimin e shtetasit Dritan Dajti. "Nga dëshmia e drejtuesit të parë të Policisë së Shtetit, Arian Muça, është mësuar mënyra e vënies në lëvizje të Grupit të Operacioneve Speciale që nga dita e fillimit të vëzhgimit të bashkëshortes së Dritan Dajtit, shtetases Dorela Dajti e deri tek planifikimi i planit operacional të ndërhyrjes pasditen e 7 gushtit 2009 në plazhin e Durrësit",- thuhet nga burimet e akuzës. "Në rrugë operative është siguruar një informacion se shtetasi Dritan Dajti lëvizte i lirë nga Tirana në Durrës, pasi kishte bashkëshorten shtatzënë.

Është vendosur vëzhgimi i kësaj të fundit ku të hënën është pikasur objektivi, personi në kërkim prej gjashtë vitesh dhe i dënuar me 25 vjet burg shtetasi Dritan Dajti. Që nga e hëna e datës 3 gusht pas lëvizjeve të Dajtit janë vendosur grupe vëzhgimi nga dy oficerë. Ditën e premte të 7 gushtit, në mëngjes është vendosur që të ndërhyjmë për ta arrestuar objektivin Dajti pasi kishim mësuar lëvizjet dhe vendstrehimin e tij në plazhin e Durrësit",- ka theksuar Muça në dëshminë e tij, duke nënvizuar faktin se për kryerjen e ndërhyrjes për arrestimin e tij është vendosur mes tij dhe drejtuesit të operacionit tashmë të ndjerë Festim Xhani.

Gjithashtu, përveç pyetjes së Muçës, prokurorët kanë marrë në pyetje edhe nëntë agjentët e tjerë të kësaj toge të cilët morën pjesë në operacionin e arrestimit të Dajtit, ku u vranë katër kolegët e tyre Festim Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska, si dhe shtetasi Ledion Mara. Sipas këtyre burimeve, dëshmia e agjentëve që i kanë shpëtuar plumbave të Dajtit ka qenë ndihmuar nga prokurorët e çështjes Ardian Nezha e Eugen Beçi të rindërtojnë skemën e ngjarjes. Mësohet se agjentët kanë shpjeguar me hollësi që nga momenti i vëzhgimit të lëvizjeve të Dajtit dhe kunatit të tij Ergest Xhoxhi e deri tek momenti i arrestimit të të shumë kërkuarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›