E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi, grup pune për ndryshimet në statut

Më 29 gusht pritet të ngrihet dhe një grup pune, i cili do të merret në muajt e mëpasshëm me realizimin e ndryshimeve statutore


Dokumenti themeltar i funksionimit dhe organizimit të Partisë Socialiste, Statuti, shumë shpejt do të bëhet objekt i një sërë ndryshimesh, me qëllim përshtatjen e tij me zhvillimet që ka sjellë koha. Jo vetëm kërkesa që ka bërë tashmë një grup anëtarësh të Asamblesë Kombëtare, por edhe vetë vështirësitë e evidentuara gjatë zbatimit të tij, veçanërisht për çështje specifike, duket se e kanë bërë të nevojshme ndërhyrjen në këtë dokument, për ta përshtatur dhe për ta sjellë atë në përputhje me ritmin e zhvillimit të kësaj force. Për këtë arsye, qoftë lidershipi i kësaj partie, qoftë grupi i shfaqur së fundmi si një rrymë alternative, pavarësisht dallimeve për një sërë çështjesh të tjera që kanë karakterizuar debatin e fundit në këtë forcë, duket se janë në një mendje për nevojën e ndryshimeve statutore.

Ajo që e ndan linjën zyrtare nga ajo alternative, përveç përmbajtjes së tyre, është edhe koha se kur edhe duhet të kryhen këto ndryshime. Ndërsa anëtarët e asamblesë, të prezantuar si "grupimi për ndryshimet statutore", kërkojnë ta amendojnë këtë dokument gjatë kongresit të 29 gushtit, pjesa tjetër, pra vetë Partia Socialiste, ashtu siç edhe u shpreh kryetari i kësaj force, Edi Rama, gjatë intervistës për "Shekulli"-n, ato duhet të kryhen në një moment tjetër, pas kongresit të fundgushtit. Në këtë funksion, burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se gjatë kongresit të datës 29 gusht pritet të ndërmerret një hap në këtë drejtim, jo për t'i realizuar ndryshimet në të tani, por vetëm në një moment të mëvonshëm. Për këtë qëllim, pritet që me propozime nga salla, mbledhja e kongresit të miratojë ngritjen e një grupi pune, i cili do të ngarkohet për të përgatitur paketën e ndryshimeve statutore.

Ashtu siç edhe e përcakton vetë ky dokument, ndryshimet statuore nuk mund të bëhen brenda një dite, por ato më parë duhet të konsultohen me një bazë sa më të gjerë. Prandaj, detyra e këtij grupi do të jetë pikërisht përgatitja e një drafti paraprak si nevojë për t'u dhënë zgjidhjet e duhura disa pikave të dobëta të statutit aktual, për t'i paraqitur ato më pas në bazë dhe për t'i konsultuar. Natyrisht, ky proces, i cili parashikohet që të zgjasë nga 2 deri në 3 muaj, do të shërbejë edhe për të marrë propozime të tjera nga strukturat lokale.

Më pas, paketa do të paraqitet nga grupi në kryesi dhe mandej në Asamblenë Kombëtare, e cila për miratimin e tyre do të thërrasë një kongres tjetër. Ato që dihen, të paktën deri tani dhe që mund të bëhen pjesë e kësaj pakete propozimesh, janë propozimet e grupit që është evidentuar së fundmi si opozitar ndaj qëndrimeve që ka mbajtur PS-ja lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit. Thelbi i këtyre propozimeve që disa ditë më parë u shpërndanë nga hartuesit dhe medias, ishte sanksionimi në statut i moskandidimit të kryetarit të partisë në rast humbjesh.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›