E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Emmy-t: Drejtësi për vajzën

“Vajzën time e vranë. E vranë më dashje dhe e kishin paralajmëruar për këtë krim. Unë kërkoj vetëm drejtësi, kërkoj që policia, ekspertët dhe prokuroria të mos ndikohen nga ai njeri që është arrestuar për vrasjen e sime bije dhe që është biznesmen.Ai e vrau vajzën time, e përplasi me qëllim për ta vrarë. Ai duhet dënuar maksimalisht, pa asnjë lloj toleromi, se ka bërë krimin më të rëndë që mund të bëjë njeriu”. Kjo është kërkesa që Ali Hidersha u drejtoi organeve të drejtësisë ditën e nesërme, pasi vajza e tij, Elsina Hidersha, ndërroi jetë në Spitalin Ushtarak. Të njëjtin pretendim ai e ka edhe sot, tre muaj pas ngjarjes, ku humbi jetën këngëtarja “Emmy”, kur i dyshuari për ngjarjen, Aziz Kelmendi, është dërguar në Gjykatë, por për “vrasje nga pakujdesia”. Ali Hidersha thotë se i ka kthyer sytë nga Gjyqësori, duke shpresuar se në sallën e gjyqit do të bëhet drejtësi. Ai tregon se nuk e lejuan familjen e tij të përfaqësohej nga një avokat gjatë seancave gjyqësore, por do të ndjekë vetë në sallën e gjyqit, të gjithë ecurinë e gjykimit të Aziz Kelmendit.
BABAI I KENGETARES
Babai i “Emmy”-t tregon se e ndiente se do të bëhej kjo padrejtësi, sipas tij me kualifikimin e akuzës, madje kishte shkuar edhe vetë në Prokurori për të kontaktuar me prokurorin e çështjes. Për babanë e “Emmy”-t, Ali Hidershën, si atë ditë, edhe sot pas tre muajsh, ajo që i ndodhi vajzës së tij është një vrasje e qëllimshme, e paramenduar, madje e paralajmëruar nga ana e autorit. “E prisja këtë që ndodhi, madje ua pata thënë. Nuk di si të komentoj këtë që ka ndodhur”, u shpreh Ali Hidersha dje për gazetën. Ai thotë se ende nuk i ka humbur shpresat që drejtësia do të vihet në vend dhe autori do të marrë atë që meriton. “Kur mësova që akuza kishte ndryshuar, shkova vetë në Prokuroi për të kuptuar se përse ndodhi kjo. U përpoqën të ma argumentojnë, të më bindin. Tashmë ajo që ndodhi, ndodhi. Nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të shpresoj tek Gjyqësori në vazhdim”, tha Hidersha. Gjithashtu, babai i këngëtares Elsina Hidersha, u shpreh se do të ndjekë vetë në sallën e gjyqit të gjitha seancat gjyqësore në ngarkim të Aziz Kelmendit, meqenëse nuk u lejua të përfaqësohej nga një avokat.

Prokuroria: Vrasja e këngëtares ndodhi nga pakujdesia e Kelmendit

Prokuroria, e cila dërgoi dosjen në Gjykatë, tri ditë më parë ka vlerësuar se ngjarja ka qenë vrasje nga pakujdesia. Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur si më poshtë: Më datë 27.02.2011, rreth orës 01:30, shtetasi Aziz Kelmendi, i shoqëruar nga shtetasja Persida I., ka dalë nga pub “Venue”. Pasi ka hipur në makinën e tij “Wolsvagen Touareg” me targa 612 KS 188, kur ka qenë para hyrjes së pub-it, është takuar me viktimën, e cila ka tentuar të hipë në makinë. Azizi nuk e ka lejuar, duke siguruar dyert nga brenda dhe duke hapur vetëm xhamin e derës së shoferit në gjysmën e hapësirës. Viktima ka filluar të debatojë me Azizin dhe me shtetasen Persida Ilia, debat i cili acarohet në fyerje dhe sharje. Aziz Kelmendi ka nisur makinën e tij drejt rrugës së Profarmës, në fillim ngadalë. Viktima është kapur me dy duart në xhamin e derës së shoferit, duke ecur paralel me mjetin drejt lokalit “Bang Bang”, në një distancë rreth 70 metra larg pub “Venue”. Shtetasi Aziz Kelmendi, pasi ka ecur disa metra ngadalë, më pas ka rritur shpejtësinë dhe para lokalit “Bang Bang” ka frenuar. Në këtë moment, viktima është shkëputur nga mjeti, duke u rrëzuar në asfalt, ku ka pësuar dëmtime të rënda në kokë, gërvishtje në disa pjesë të trupit, si dhe një gjurmë gome mjeti në këmbën e majtë. Kjo gjurmë mjeti dyshohet të jetë lënë nga goma e makinës së shtetasit Aziz Kelmendi. Viktima është transportuar menjëherë në urgjencën e QSUT-së Tiranë, në gjendje të rëndë, ku ka gjetur vdekjen më datë 28.02.2011, rreth orës 08:00.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›