Babai i Fiqiriut: Nazimen e kërkuam si nuse të dytë, familja Visha heshti
Rrëfimi i Zyberit para hetuesve: Kam negociuar me krushqit për lidhjen e djalit me 18-vjeçaren
Sokol Çobo
Familja Visha dhe Muça kanë qenë në dijeni të lidhjes jashtëmartesore të Fiqiriut me Nazimen. Zyber Muça, babai i 45-vjeçarit të vrarë, ka rrëfyer për herë të parë marrëdhënien e djalit të tij me 18-vjeçaren, ndërsa ka pohuar se ka pasur dijeni. Para prokurorit dhe hetuesve që i kanë shkuar në shtëpi në fshatin Manzë, Zyberi është treguar i matur. Hetuesit e kanë pyetur për fillimin e marrëdhënieve me familjen Visha, ndërsa Zyberi ka pohuar se ka krushqi me ta, pasi një nga djemtë e tij ka marrë për grua motrën e Nazimes. Ai ka pohuar se ka mësuar për lidhjen e tyre në muajin maj të këtij viti, kur Nazimja ka denoncuar djalin e tij, Fiqiriu në polici për përdhunim. I ndodhur në këto kushte, Zyberi ka kërkuar dorën e 18-vjeçares si nuse e dytë për Fiqiriun. I kam dërguar fjalë familjes Visha, por nuk kam marrë asnjë përgjigje.
Njohja me Vishajt
Zyberi ka treguar momentin që familja e tij ka lidhur krushqi me familjen Visha. Sipas tij, do ketë qenë viti 2007 kur një nga djemtë e tij është martuar me një vajzë nga familja Visha. Më pas, krushqit kishin hyrje-dalje familjare dhe djemtë e tij shkonin në këtë familje. Më pas ka treguar se midis babait të Nazimes, Beqirit dhe Fiqiriut ishte lidhur një marrëveshje verbale për biznes. Të dy kishin hyrje-dalje familjare, pasi merreshin me prerjen e drurëve për tregti. I pyetur nëse ka pasur dijeni të lidhjes së Fiqiriut me Nazimen vite më parë, siç pretendon edhe 18-vjeçarja, Zyberi është treguar i kujdesshëm ndërsa ka pohuar se nuk kishte asnjë dijeni, pasi për të tilla gjëra djemtë nuk i hapeshin apo nuk i tregonin. Ndërkohë, ai ka mësuar për lidhjen e tyre vetëm disa muaj më parë, në kohën që Nazimja ka denoncuar Fiqiriun për përdhunim.
Lidhja jashtëmartesore
Babai i viktimës u ka treguar hetuesve se ka mësuar për lidhjen jashtëmartesore të Fiqiriut me Nazimen në muajin maj. Sipas tij, dy djemtë e tjerë e kishin vënë në dijeni Zyberin se Fiqiriu kishte një lidhje me Nazimen, madje kjo e fundit e kishte denoncuar për përdhunim. Pas këtij veprimi, Zyberi e kishte thërritur Fiqiriun dhe ky i fundit i kishte thënë se nuk e kishte përdhunuar, por ajo kishte shkuar me dëshirë. Burimet nga prokuroria thanë se Zyberi ka thënë se pasi e qortova për veprimin e kryer, i kam thënë se duhet të shkonte te familja Visha për të kërkuar dorën e Nazimes. Megjithatë, një veprim i tillë nuk ishte kryer dhe më pas filluan procedurat për tërheqjen e denoncimit nga 18-vjeçarja.
Negociatat për martesën
Krahas qortimit që i ka bërë Fiqiriut, Zyberi ka pohuar para hetuesve se ka kërkuar zyrtarisht dorën e Nazimes. Pasi mësova rreth lidhjes së tyre në muajin maj, kur kishin qenë bashkë për disa ditë, i çova fjalë familjes Visha për të kërkuar dorën e Nazimes për Fiqiriun. Doja ta kisha nuse të dytë Nazimen për Fiqiriun. Por familja Visha nuk më ktheu përgjigje, ka thënë plaku para hetuesve, ndërsa ka hedhur dyshimet për vrasjen e djalit të tij, ku pretendon se mund të kenë gisht edhe persona të tjerë.
Kërkova dorën - Pasi mësova rreth lidhjes së tyre në muajin maj, kur kishin qenë bashkë për disa ditë, i çova fjalë familjes Visha për të kërkuar dorën e Nazimes për Fiqiriun.
Nuse e dytë - Doja ta kisha nuse të dytë Nazimen për Fiqiriun. Por familja Visha nuk më ktheu përgjigje. E kam qortuar djalin për veprimin që ka kryer në muajin maj me 18-vjeçaren
Vendimi: 30 ditë burg - Do të qëndrojë Nazime Visha, e cila akuzohet për vrasje me dashje nga prokuroria. Akuza ka detyrë të verifikojë pretendimet e saj për përdhunim dhe përndjekje nga viktima
Bashkëshortet
Do pyetet vëllai i viktimës dhe motra e autores
Prokuroria do të marrë në pyetje edhe një nga vëllezërit e Fiqiri Muçës, i cili ka marrë për grua motrën e Nazime Vishës. Hetues nga Prokuroria e Tiranës kanë kontaktuar në telefon me dëshmitarin, i cili u ka thënë se ndodhet në Burrel dhe se nuk ka mundësi që të japë shpjegime.
I kemi kërkuar të japë shpjegime për ngjarjen, por na tha se nuk mundet, pasi nuk lë dot shtëpinë vetëm në fshatrat e Burrelit. Na tha se ka një djalë të vogël, që nuk e lë dot vetëm, nëse vjen për të dëshmuar së bashku me bashkëshorten, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës, e cila saktëson se pret këto dëshmi për të mësuar më shumë rreth krushqive të familjes Visha dhe Muça.
Vëllai i viktimës dhe motra e autores do pyeten rreth marrëdhënieve që kanë pasur me ta, nëse kanë pasur dijeni për lidhjen e tyre, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit.
Dëshmia
Bashkëshortja: Lidhjen e mësova në muajin maj
E veja e Fiqiri Muçës, i vrarë më 13 gusht, në periferi të Tiranës, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës. Një prokuror dhe tre oficerë të policisë gjyqësore kanë qenë ditën e hënë në fshatin Manzë të Durrësit, te familja Muça për detajet e vrasjes së Fiqiriut. Mynyrja, e veja e viktimës, ka treguar se ka pasur dijeni rreth marrëdhënies së tij me Nazimen. Kam pasur dijeni për marrëdhënien mes Fiqiriut dhe Nazimes. E kam marrë vesh në muajin maj të këtij viti, kur vajza denoncoi Fiqiriun për përdhunim. Natyrisht kam folur me prindërit e tij dhe kam vendosur që të jem sërish gruaja e tij. E kam falur për hir të pesë fëmijëve dhe më është betuar se nuk do të kishte asnjë marrëdhënie me Nazimen. I kam besuar. Vazhdoj të kem bindjen se nazikja e çoi drejt vrasjes, ajo e mashtronte, ka pohuar Mynyrja, tejet e revoltuar, ndërsa ka shpjeguar se nuk i ka kërkuar llogari Fiqiriut, pasi e kishte falur. Fiqiriu është mashtruar nga Nazimja. Ajo e ka futur në kurth me trupin e saj prej 18-vjeçarejeve. Nuk janë të vërteta thëniet e saj për përdhunim, vijoi Mynyrja para OPGJ-ve, teksa është pyetur për dijeninë e saj për ditën e ngjarjes. Ajo tha se Fiqiriu ka dalë nga banesa dhe i ka dhënë disa lekë. Ka dyshuar për këto para, por nuk ka folur. Më pas Fiqiriu ka dalë për të mos u kthyer më. Në lidhje me telefonin celular, bashkëshortja e Fiqiri Muçës ka pohuar se ka lexuar disa prej SMS-ve nga ku rezulton, sipas saj, se ka qenë Nazimja ajo që e ka detyruar Fiqiriun të kishte një marrëdhënie me të. Deponimet e Mynyrës janë edhe për njohjen e tyre, fëmijët e deri te marrëdhënia bashkëshortore. s.ç
Vëllezërit:
Fiqiriu na thoshte se e dua Nazimen
Një nga dëshmitë e marra nga grupi hetimor në fshatin Manzë të Durrësit ka qenë rrëfimi i vëllezërve të Fiqiriut, të cilët kanë pasur dijeni të lidhjes së tij me Nazimen. Para grupit hetimor, i kryesuar nga prokurori Blerim Tominaj, vëllezërit e viktimës kanë hedhur fillimisht dyshime mbi autorësinë e kësaj vrasjeje, ndërsa pohojnë se të tjerë persona mund të kenë lidhje me ngjarjen. Megjithëse tregohen të rezervuar në dhënien e emrave, ata pohojnë se Fiqiriu u ka thënë se ka një lidhje me Nazimen, një vajzë 18-vjeçare. I kemi thënë se çfarë bën, kemi një lidhje krushqie me familjen Visha. Fiqiriu na ka thënë se nuk kam çfarë të bëj, e dua Nazimen. Më pas e kemi besuar, pasi komunikonte shpeshherë me këtë vajzë, kanë pohuar vëllezërit, që kanë tentuar që të ndanin Fiqiriun me Nazimen, pasi vëllai i tyre kishte pesë fëmijë dhe një grua besnike. I kemi kërkuar që të shkëpuste lidhjen me Nazimen për hir të fëmi