E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e çantave kthehet në modë, pranga adoleshentëve

Gazeta Shqip

Operacioni 

Disa persona janë arrestuar me akuzën e vjedhjes, e kthyer në modë në kryeqytet, atë të çantave të femrave. Policia e Tiranës pohoi dje se ka arrestuar në flagrancë një grup adoleshentësh që vepronin në zonën e Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Allias. U arrestuan Dorian Aliaj, 20 vjeç, i dënuar më parë 5 herë për vjedhje, R. K., 16 vjeç dhe A. Hasandocaj, 17 vjeç, pohojnë burimet policore, që saktësojnë se këta shtetas me precedentë të mëparshëm penal, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar së bashku një sërë vjedhjesh të disa shtetaseve, kryesisht të varëse dhe çantave në kohë e periudha të ndryshme. Dhe më konkretisht është dokumentuar implikimi i tyre në vjedhjen e një shtetaseje, në rrugën Thanas Ziko në Tiranë. Pas një hetimi të kryer ndaj tyre dhe pas kontrolleve të ushtruara, u kap në banesë shtetasi në kërkim Viktor Aliaj, si dhe u bë e mundur gjetja e motorit me të cilin ishte kryer vjedhja e ndodhur mesditën e djeshme. Nga hetimet e kryera janë evidentuar edhe vjedhjet e tjera të realizuara nga këta shtetas dhe argjendaritë ku janë shitur sendet e vjedhura nga autorët. Gjithashtu është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Beqir Aliaj, 46 vjeç, pasi ky shtetas ka kundërshtuar dhe kanosur punonjësit e policisë, pohojnë burimet policore që u bëjnë thirrje qytetarëve të dëmtuar nga këto vjedhje, të paraqiten pranë Komisariateve të Policisë Nr.1, 2, 3, 4 në Tiranë, për të depozituar kallëzimet e tyre, si dhe rikthimin e sendeve të tyre të vjedhura.

Ndërkohë, Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e një shtetasit A. Zefi, 17 vjeç, banues në Mirditë, sepse rreth orës 12:00, në bulevardin Gjergj Fishta, pranë Gjykatës Tiranë, është kapur pasi i ka vjedhur çantën e dorës me shumën prej 2700 lekësh dhe një telefon celular Nokia një shtetase. Ky shtetas dyshohet të jetë autor edhe i disa vjedhjeve të tjera me këtë tendencë në periudha dhe kohë të ndryshme në Tiranë.

Vjedhja e çantave kthehet në modë, pranga adoleshentëve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›