E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai i Nazimes paditet për prerjen e pyjeve

Gazeta Shqip

Drejtoria e Pyjeve në Tiranë i kërkon 300 mijë lekë. Beqir Visha: I putha dorën vajzës në burg

Problemet ligjore në familjen Visha nuk kanë të sosur. Pas Nazimes, e cila akuzohet për vrasjen e Fiqiri Muçës, nën akuzë mund të vihet edhe babai i saj, Beqiri, i cili është paditur nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor në Tiranë. Padia është regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ku Beqir Visha, akuzohet se ka prerë pyjet. Objekti i kësaj padie është detyrimi i z. Beqir Visha të shpërblejë Drejtorinë e Shërbimit Pyjor në Tiranë për dëmin e shkaktuar në pyje, në vlerën prej 300 000 lekësh. Sipas të dhënave nga gjykata, 42-vjeçari akuzohet se ka prerë pyjet në Krrabë, duke shkaktuar një dëm të madh, që vlerësohet nga Drejtoria e Pyjeve në shumën e 3 milionë lekëve. Prerja është bërë pa leje dhe nga verifikimet ka rezultuar se autori është pikërisht Beqir Visha, babai i 18-vjeçares Nazime Visha, e cila, më 13 gusht të këtij viti, qëlloi me kallashnikov ndaj Fiqiri Muçës, ndërsa deklaroi se ai e dhunonte dhe përdhunonte sistematikisht, prej katër vitesh. Në lidhje me këtë pretendim të vajzës, Beqiri, në një prononcim për një televizion privat, tha dje se i ka puthur dorën së bijës në burg, duke e falënderuar për atë që ka bërë.

Kam folur me vajzën në burg, më tha që nuk kisha rrugëdalje. Ajo më tregoi gjithçka që ai i kishte bërë. Ai ka shkuar atë natë që ta merrte me detyrim, i ka bërë edhe telefonata. Ai do ketë qenë i lidhur me shoferin e Dibrës, që ta çonte gocën me detyrim në Maqedoni a në Kosovë, pasi kështu i kishte thënë që do ta çonte tek një i afërm i tij. Gocës ia bëftë Zoti hallall, i lumtë dora, i putha dorën Nazimes në burg për atë që bëri. Ta ketë hallall bukën që i kam dhënë në 8 vjet, deklaroi Beqiri. Ai tha se ditën e ngjarjes, në shtëpi me Nazimen, nuk ka qenë askush tjetër përveçse prindërve të tij. Ajo ishte vetëm, nuk ka pasur shoqërues. Unë nuk kam asgjë çfarë ti shpjegoj familjes Muça. Armën e ka gjetur Nazimja kur ishte me dele. I ka ardhur dhe asaj në majë të hundës dhe e ka vrarë, vijoi Beqiri, duke shtuar se pas torturës së Fiqiriut goca trembej natën, çohej nga gjumi dhe trembej, sa ti afroheshe nuk fliste, ne kishim frikë se mos pinte helm. Në lidhje me miqësinë me Fiqiriun, Beqiri tha se nuk kisha kuptuar asgjë nga ajo që bënte Fiqiriu, ishte i pakomunikueshëm. Ai punonte me mua, por kur merrte lekë, sa ti harxhonte, nuk dukej në punë, rrëfen ai, duke pohuar se kërkon liri për Nazimen, ndërsa tashmë pengu i tij është vajza tjetër, e martuar në familjen Muça. Ai tha se i bëj thirrje që ti japin gocës telefonin, sepse e kanë izoluar.

Babai i Nazimes paditet për prerjen e pyjeve burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›