Babai i Nimet Zenelit: "Banda e Bares" më vrau djalin

Gjatë rrëfimit të Ramazan Zenelit, Aldo Bare u irritua nga dëshmia e tij, duke shpërthyer në sharje dhe fyerje ndaj tij
"Pashë Genci Kasharin të shtrirë poshtë tavolinës dhe Aldo Baren duke ikur me vrap me armë në dorë"
TIRANË- I zverdhur në fytyrë dhe i ulur në karrige përballë togave të zeza, plaku 72- vjeçar Ramazan Zeneli, rrëfeu dje sipas tij autorët, e vrasjes së të birit Nimetit, mesditën e 28 shkurtit të vitit 1998 në fshatin Kolonjë të Lushnjes. Për këtë vrasje ai akuzoi Enver Dondollakun, Ilir Stërgun e Arben Boriçin si personat që i vranë djalin për llogari të "bandës" së Alfred Shkurtit alias Aldo Bare.
Dëshmia e Zenelit, irritoi dy herë të pandehurin Aldo Bare i cili edhe pse mes efektivëve të policisë dhe brenda kafazit të hekurt të sallës së gjyqit iu drejtua dëshmitarit të akuzës me sharje e ofendime pavarësisht moshës së vjetër.
Në të dy rastet, trupi gjykues i kryesuar nga Fatmira Hajdari i kërkoi Bares të qetësohej ndryshe do ta nxirrnin nga salla. Por, pavarësisht paralajmërimeve të gjykatës, Aldo Bare prapë nuk kontrolloi dot emocionet duke iu drejtuar edhe gjyqtares Hajdari me një ton kërcënues. "E teprove shumë zonja gjyqtare. Mos më fol mua kështu.
Të mos krijojmë ndonjë incident këtu"- iu drejtua Bare kryesueses Hajdari, kur kjo e fundit e urdhëroi të ulet dhe mos të flas pa leje. Seanca gjyqësore vazhdoi me rrëfimin e Zenelit që tregoi si e kishte marrë vesh vrasjen e djalit dhe si kishin tentuar ta "rrëmbenin" të akuzuarit, Boriçi e Stërgu në emër të Aldo Bares.
Sipas Ramazan Zenelit, për Aldo Baren kishte dëgjuar por nuk e kishte takuar kurrë duke u shprehur se "as mos e dëgjofsha ndonjëherë". Kjo shprehje e tij irritoi të pandehurin Bare, i cili me zë të lartë kërcënoi, shau dhe ofendoi të moshuarin. Ai preferoi të heshte para ofendimeve, duke ndjekur me vëmendje fjalën e gjyqtares Hajdari që i kërkonte të qetësohej të pandehurit.
"Në verë të vitit 1997, unë isha për vizitë te vajza në lagjen "Kadri Qystri" të Lushnjës kur kemi dëgjuar krisma armësh. Dola në rrugë bashkë me dhëndrin dhe iu afruam lokalit ku ishte vrarë me bukë në gojë Genci Kashari, i cili kishte shoqëri me djalin tim të vrarë Nimet Zeneli. Në atë moment pashë në rrugë Alfred Shkurtin me një armë në dorë që ikte me vrap,- tha plaku 72- vjeçar.
Edhe kjo frazë, irritoi Baren, i cili nuk ngurroi të ofendonte të moshuarin, duke injoruar paralajmërimet e gjyqtares Hajdari për largim nga salla e gjyqit. Zeneli vazhdoi duke treguar se pak metra nga lokali ku ishte shtrirë i vrarë Genci Kashari ndodhej një makinë e ndaluar, në të ishin të plagosur dy persona, që Artur Daja i vrau nga afër.
"Nimet Zeneli ka qenë djali im, por tashmë është vrarë, dhe nuk e di pse. Në vitin 1998 më vjen një banor i lagjes dhe më thotë se njëri nga djemtë të është plagosur në Kolonjë të Lushnjës. Mora taksi dhe u nisa.
Rrugës për në Savër pashë një makinë me drita që po kalonte me shpejtësi dhe mendova që aty është djali im. U ktheva për në Spital dhe gjeta djalin e vdekur"- tha Zeneli para Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Sipas tij, pas një jave kishte marrë vesh për autorët e vrasjes së djalit të tij nga Gramoz Selmani. "Një javë pas vrasjes së djalit shkova takova në Zhupan të Fierit ku fshihej, Gramoz Selmanin. Fshihej nga frika e vrasjes nga banda e Alfred Shkurtit. Ishte në shtëpinë e Masar Aliut. Më tha se ishin Enver Dondollaku, Ilir Stërgu e Arben Boriçi, ata që vranë djalin tim"-tha plaku.
Ai shpjegoi se i biri kthehej nga Fieri atë ditë bashkë me Gramoz Selmanin dhe Masar Aliun që kishin shpëtuar. Disa kohë pas ngjarjes, në banesë i kanë shkuar Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu, duke i kërkuar të shkonte me ata në Komisariatin nr.2 të Lushnjës, pasi po e kërkonte kryetari i tyre Alfred Shkurti. Ai nuk kishte pranuar të shkonte. Në këtë moment ndërhyri i pandehuri Bare, i cili shau dëshmitarin dhe i deklaroi se ishte trim ai, nuk kishte frikë që të mos paraqitej.
Izet Kurti, dhëndri i Ramazan Zenelit
Genci Kasharin e vranë me bukë në gojë
Në vitin '97 kam jetuar në Lushnje. Për herë të parë emrin e Genci Kasharit e dëgjova ditën kur u vra. Ngjarja ndodhi përballë shtëpisë sime dhe ora ishte afërsisht 15:00. Sapo kisha ardhur nga puna dhe po lahesha. Dëgjova krisma armësh. Dola me vrap dhe pashë te një makinë dy të plagosur. Njërin e njihja, ishte Ramadan Shkurti, vëllai i Alfredit.
Kishim pirë disa herë kafe me të. Përballë në lokal gjendej Artur Daja, djali i xhaxhait të tij Xhevit Daja, Gramoz Selmani, Lorenc Daja me vajzën e vogël, që ishte plagosur. Genci Kashari ishte i vdekur poshtë tavolinës me bukë në gojë. Bashkë me një tjetër i hoqëm bukën dhe i mbyllëm gojën.
Artur Daja shkoi te makina ku ishin të plagosurit dhe i qëlloi duke i vrarë të dy. I mori pistoletën shoferit të plagosur dhe e qëlloi për vdekje atë dhe Ramadan Shkurtin, duke i thënë: "Me këtë do më vrisje". Pasi ai qëlloi ata, Luan Bilbili, i tha çfarë më bërë ? Ai iu përgjigj: "Po mua çfarë deshën të më bëjnë". Unë isha kushëri i dytë me Artur Dajën. Nimet Zenelin e kam pasur kunat. Nuk di çfarë ka ndodhur.
Njoh Erion Cicin, dhe e takova pas vrasjes. Ishte me një tjetër. Erdhën te Bashkia ku kisha shkuar të bëja dokumentet e kempit të vajzës. Më thanë kemi një sqarim me ty. Më çuan te dega, te komisariati i policisë, te shtëpia e Alfred Shkurtit. Aty gjetëm Arben Boriçin. Më qëlloi Maksim Çela i pari.
Më pas të katërt më qëllonin me këmbë karrigesh. Kur më mbuloi gjaku, më futën kokën në lavaman dhe thanë: "Po vdiq le të vdesë". Nuk e kam parë Alfred Shkurtin. Atë ditë që më morën dhe me rrahën, më thyen dy gishtat vegjël të dorës dhe dëmtime të tjera"-tha Izet Kurti para gjykatës.
Dervish Arapi, vjehrri i Gramoz Selmanit
Banda kërkonte Gramozin tek ne
"Një nga vajzat e mia ishte si gjysmë e martuar me Gramoz Selmanin, pasi nuk i kanë bërë akoma celebrimet.
Ma mori 15 vjeçe dhe ma çoi në Itali, ikën bashkë të dy. Tani Gramozi jeton në Greqi. Ka qenë vetëm një herë në shtëpinë time. Pas ngjarjes, më thirri Alfred Shkurti dhe më tha se donte të dinte ku ishte Gramozi. Më tha: Po erdhi na njofto me kujdes. Të mos marrë vesh që na njoftove se të vret ai".
Ai nuk u duk më, as kur erdhi para disa ditësh në Tiranë. Më pas, një ditë më rrahën djalin tim, Ademin. Nusja e tij Vjollca më tha se çunat e Alfred Shkurtit e rrahën Ademin. E çuan në spital ku ndenji i shtruar 10 ditë. E goditën me mjete të forta. Kjo ndodhi për Gramozin.
Artur Daja i vrau vëllanë Alfred Shkurtit dhe ndoshta qe edhe Gramozi. Nuk e di, qenë bashkë atë ditë. Djali nuk më tha gjë se kush e qëlloi, kishte rënë pa ndjenja. Njëherë më erdhën në fshat pesë persona të armatosur, ishin çuna të rinj. Lanë një roje të furgoni i bardhë dhe erdhën brenda.
Kërkonin Gramozin. Plaka u ka thënë që nuk ka ardhur. Më pas erdha në shtëpi dhe më pyetën për Gramozin, më thanë që u kishte thënë edhe plaka që nuk ishte. Më duket se ishte Ilir Stërgu, unë nuk e njoh. Gramoz Selmani është vëllai i dhëndrit tjetër që unë kam në Lushnje, ku rrinte vajza kur u njoh me të".
Alfred Gjyla, dëshmitar
TIRANË- Xhevat Demirin e kam njohur si tregtar. Ka qenë shok me djalin e xhaxhait tim Albertit. Tani ka vdekur. E kanë vrarë teksa kthehej nga Durrësi ku ishte në plazh me gruan. Më tha e shoqja Mimoza dhe djali i xhaxhait tim se e kanë vrarë.
Para ngjarjes, Xhevati më tha se Artur Daja i kishte marrë dy herë makinën me zor dhe ia kishte sjellë në mesnatë. Ajo tha për vrasjen se tre persona me maskë i kanë dalë përpara dhe i kanë vrarë burrin. Në makinë me ta ka qenë edhe Alberti me gruan dhe fëmijët, Benet Gjyla e Mimoza.