E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Prizrenit në qershor bëhet me rektor

Ministria e Arsimit ka bërë të gjitha përgatitjet që më 1 tetor të fillojë viti i ri akademik në Universitetin e ri të Prizrenit, ndërsa deri në qershor pritet të bëhet edhe zgjedhja e rektorit të këtij universitetit.

Kështu ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj, gjatë prezantimit të draft-planit zhvillimor për Universitetin e Prizrenit.

Ministri Hoxhaj ka thënë se draft-plani zhvillimor i Universitetit të Prizrenit është punuar për javë të tëra dhe ofron zhvillimin e tij si një model të ri të këtij institucioni të ri.

“Ne si Ministri e Arsimit kemi bërë të gjitha hapat e nevojshme që vërtet me 1 tetor ky Universitet të themelohet dhe të fillojë së funksionuari. Deri më tash është punuar intensivisht jo vetëm në hartimin e planit zhvillimor të universitetit, por është punuar intensivisht edhe në hartimin e kurrikulave për programe të caktuara të studimit. Është punuar në mënyrë intensive edhe sa i përket përzgjedhjes së rektorit. Ka pasur një konkurs ndërkombëtar në shtypin vendor dhe në shtyp të huaj dhe deri më tash ka 16 kandidatë, të cilët kanë aplikuar për pozitën e rektorit, dhe unë besoj që në muajin qershor ne mund ta kem rektorin e ri”, ka thënë ministri Hoxhaj, transmeton Kosovapress.

Ai po ashtu konfirmoi se për stafin akademik të Universitetit të Prizrenit kanë konkurruar mbi 600 kandidatë, përzgjedhjen e të cilëve do të bëjë rektori posa të zgjidhet.

Përfaqësuesi i kompanisë Consult High of Education (CHE), Kristian Berthold, ka thënë se me draft-planin zhvillimor të Universitetit të Prizrenit është paraparë një nevojë e madhe për zhvillimin e shoqërisë civile në Kosovë.

“Internacionalizimi është një aspekt shumë i rëndësishëm në profilin e Universitetit të Prizrenit dhe ai duhet të bëhet në bazë të standardeve të Unionit Evropian, në bazë të standardeve ndërkombëtare ekonomike, dhe e pasuruar me adoptimin ndërkombëtar, në mënyrë që të kemi përgatitjen për një treg ndërkombëtar të punës”, ka thënë Berthold.

Ai theksoi se shumë profesorë do të vijnë nga jashtë dhe shumica prej tyre nuk do të jenë në gjendje të ligjërojnë në gjuhën shqipe dhe se ligjërimi duhet të jetë në gjuhën e huaj në mënyrë që të përgatitën studentët për tregun ndërkombëtar të punës.

Viti i parë akademik në Universitetin e Prizrenit do të ndiqet falas nga studentët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›