E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai në CineLink

Projekti filmik 'Babai' i skenaristit dhe regjisorit Visar Morina, projekt ky i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2011, është përzgjedhur për CineLink Plus 2012 të Festivalit Ndërkombëtar te Filmit në Sarajevë.

CineLink është shtylla e programit të industrisë filmike të këtij festivali prestigjioz ndërkombëtar dhe është platformë për zhvillim dhe financim të projekteve të parapara për koproduksione evropiane.

Nga mbi 80 projekte që aplikuan nga 18 shtete të Evropës Juglindore, projekti 'Babai' është futur në mesin e 17 projekteve që do të garojnë për çmimet financiare në vlerën totale prej 50,000 euro dhe ato të shërbimeve teknike nga sponsorët e këtij festivali: ARTE, CNC (Centre national de la cinematographie), Eurimages dhe Synchro Film&Video.

“Është ky një sukses i madh për kinematografinë e Kosovës. Një projekt i yni, i një regjisori të ri, është futur në garën për çmim në CineLink. Ky është lajm i mirë edhe për regjisorin Morina, por edhe një vërtetim për përzgjedhjen e mirë të projekteve filmike nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin e kaluar”, deklaroi drejtori i QKK-së Fatos Berisha.

CineLink Co-Production Market 2012 do të mbahet prej datës 11 deri më 14 korrik, gjatë edicionit të 19-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë, ku edhe do të ndahen shpërblimet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›