E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rushdie vjen si ‘Joseph Anton’

Përderisa në shqip vepra e Salman Rushdie, “Vargjet Satanike” është përkthyer dhe botuar pakë kohë më parë, në muajin shtator në Evropë del nga shtypi libri i tij i ri, në të cilin autori përshkruan jetën e vetë nën hijen e kërcënimit me fatva. Ishte data 14 shkurt 1989, kur ajatollahu iranian Khomeini kishte urdhëruar vrasjen e shkrimtarit.

Si jetoi Joseph Anton gjatë asaj kohe, si u fsheh ai për dekada me radhë nga përndjekësit, si dukej zemërimi e si fati i tij gjatë asaj periudhe, çfarë lidhjesh u lindën ndërmjet tij dhe mbrojtësve të tij,si funksionoi jeta e tij familjare dhe, në fund, si arriti që përsëri ta fitonte lirinë, do të jenë vetëm disa nga temat që do t’i përmbajë libri i ri i Rushdie.

Libri është emërtuar sipas personazhit kryesor të tij, prapa pseudonimit të të cilit, në fakt, fshihet njëri ndër shkrimtarit më të njohur të së sotmes, Salman Rushdie.

Në të vërtetë, ishte vetë Rushdie ai që kishte përzgjedhur emrin Joseph Anton, atëherë kur, derisa po mundoheshin që ta shpëtonin nga vdekja, rojtarët e tij e kishin pyetur se me çfarë emrin dëshironte që t’i drejtoheshin. Emri Joseph Anton në fakt është një kombinim i emrave të dy shkrimtarëve më të dashur për të, Joseph Conrad dhe Anton Chekov.

“Këtë emër e shndërrova qëllimisht në titull të librit, sepse për mua ishte gjithnjë një ndjenjë e keqe kur më kërkohej që ta tregoja emrin. Gjithnjë ndjehesha parehatshëm me këtë gjë, dhe gjithnjë mendoja se, në raport me lexuesin, ky emër do të mund të ndihmonte në dramatizimin e hutisë dhe sikletit që e ndjeja gjatë atyre viteve”, pohon Rushdie, derisa sqaron shkaqet për përzgjedhjen e titullit për librin e tij të ri.

Libri do të dalë në treg në mes të muajit shtator, dhe në të Rushdie do të përshkruaj jetën e vetë gjatë kohës sa kërcënohej me fatia, të cilën më 14 shkurt 1989 e kishte urdhëruar lideri i asokohshëm suprem i Iranit, ajatollahu Khomeini, menjëherë pas publikimit të librit “Vargjet Satanike”, të cilin ky i fundit e konsideronte si përçmues ndaj fesë myslimane. Asokohe, Khomeini shkrimtarin Rushide e kishte përshkuar si një person që është “kundër Islamit, kundër profetit dhe kundër Kur’anit”.

Sipas gazetës britanike ‘The Guardian’, botuesit e librit të fundit të Rushdie, librin e konsiderojnë si shumë të sinqertë, bindës, provokativ dhe prekës, por edhe një tekst me rëndësi jetësore, sepse ajo që i ndodhi shkrimtarit Rushdie paraqet vetëm aktin e parë të dramës, e cila edhe sot e kësaj dite vazhdon të zhvillohet diku nëpër botë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›