Babai që vrau djalin: Nuk më duhet më jeta
Më vrisni dhe mua pasi nuk më duhet më jeta .Kështu është shprehur para trupit gjykues 60 vjeçari Marash Lulaj i cili të hënën vrau djalin e tij Edmond Lulaj 28 vjeç. Në seancën gjyqësore për vlerësim të arrestit dhe caktim të masës së sigurisë, 60-vjeçari ka shfaqur pendim për krimit.
Ai ka rrëfyer se që nga mëngjesi i asaj dite e deri në mesditë kur dhe ndodhi ngjarja ka qenë duke pirë bashkë me djalin. Në mesditë, ndërsa të dy kanë qenë të pirë kanë nisur të grindeshin dhe kjo pasi djali ishte ndarë me të fejuarën. Sipas Marash Lulajt, ndarja kishte ndodhur pasi familja e nuses kërkonte shkëmbimin e shenjave të fejesës, ndërsa Edmondi nuk e ka bërë këtë.
Sipas dëshmive të grumbulluara, gruaja e Marashit dhe nëna e Edmondit ka qenë në Greqi tek vajza e martuar atje, dhe babe e bir thuajse çdo ditë kanë pirë. Lidhur me momentin e ngjarjes, Marasi ka pohuar se pasi kanë nisur të grindeshin me Edmondin, ai e ka gjuajtur në celular dhe pasi ka marrë një thikë të ndryshkur i është vërsulur. Marashi ka marrë një armë gjahu dhe ka dashur ta trembë të birin por ajo ka qenë e mbushur dhe qitja i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme 28 vjçarit.
Anila Dushi