Babai vret vajzën 12-vjeçare nga pakujdesia, ishte duke pastruar armën
Dëfrim Gozhai dyshohet se ka vrarë të bijën e vet në tentativë për t’i hequr çiften djalit të tij nga dora
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesnatën e së shtunës në periferi të Tiranës, në Babrru, ku i ati ka vrarë aksidentalisht me armë gjahu vajzën e tij 12-vjeçare. Dëfrim Gozhai, 38-vjeç, ishte duke pastruar armën e tij të gjahut, ndërsa pakujdesia i ka shkaktuar një tragjedi të dhimbshme në familjen e tij. Sipas hetuesve, vrasja ka qenë aksidentale, madje 38-vjeçari sapo kishte përfunduar pastrimin e armës në momentin që ka ndodhur tragjedia. Fillimisht ka qenë djali i tij, i cili po tentonte të luante me të. Babai, në përpjekje për të larguar armën nga djali, ka shkrepur pa dashje armën, duke shkaktuar vrasjen e vajzës së tij 12- vjeçare G. Gozhai. Në bazë të dëshmive që ka dhënë babai dhe djali i tij, rezulton se 38-vjeçari sapo kishte përfunduar pastrimin e çiftes e ka lënë armën mbi divan dhe është çuar për një moment. Në këtë kohë djali i tij është afruar pranë armës dhe e ka marrë në dorë duke luajtur. Duket se i biri mund të ketë aktivizuar siguresën e çiftes në momentet që ka mbajtur armën. Porsa ka parë të birin me armën në dorë, 38-vjeçari Gozhai është afruar për t’ia hequr nga dora, por nga pakujdesia arma ka shkrepur dhe drejtimi i qitjes ka qenë fatal. Plumbi ka përshkruar trupin e 12-vjeçares që po lozte dy metra më larg. Ka qenë vetë babai i viktimës ai që fillimisht ka kërkuar ndihmë duke telefonuar në polici, me shpresën për të mbajtur në jetë të bijën e cila ka vdekur 1 orë më vonë në spital. Policia nga ana e saj ka shoqëruar të atin, i cili ka shpjeguar versionin e tij të ngjarjes. Menjëherë më pas është pyetur për rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, ndërsa paraprakisht i ati i vajzës akuzohet për vrasje nga pakujdesia. Ekspertë kriminalë janë duke kryer rindërtimin e skenës së krimit, ndërsa do bëjnë dhe krahasimet me dëshmitë e dhëna nga autori dhe familjarët dhe rezultatet e autopsisë së viktimës. Burime pranë grupit hetimor i thanë dje MAPO-s se, bazuar në dëshmitë dhe në hetimin paraprak, bëhet fjalë për një vrasje nga pakujdesia, megjithatë do të jenë rezultatet e hetimit përfundimtar ato që do të përcaktojnë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Mësohet se i ati i viktimës ka shfaqur një gjendje të rënduar psikologjike gjatë marrjes në pyetje dhe për këtë arsye hetuesit kanë urdhëruar dhe konsulta me mjek psikolog me të arrestuarin, i cili dyshohet se ka vrarë pa dashje vajzën e vet 12-vjeçare.