Rrëmbejnë dhe përdhunojnë 13-vjeçaren, pranga të rinjve
Abuzuan me të miturën për 24 orë me radhë. Policia çon në qeli dy djem nga Korça, 24 dhe 18 vjeç. E mitura i denoncon në mëngjes, pasi e lanë të lirë të kthehej në shtëpi
Korçë- Kanë abuzuar seksualisht për gati 24 orë me një minorene 13-vjeçare, arrestohen dy të rinjtë që sipas policisë e kishin rrëmbyer vajzën e mitur. Dy të rinj nga Korça janë “çmendur”, teksa kanë marrë me dhunë nga shtëpia një 13-vjeçare, për më tepër dhe mike e tyre. Pasi kanë abuzuar seksualisht me të miturën e kanë lënë atë të lirë. Por dy të rinjtë duket se nuk kanë menduar se aventura e dhunshme do t’i çonte ata drejt burgut.
Ngjarja
Historia e pazakontë që ka tronditur qytetin e Korçës ka nisur një ditë më parë, kur dy shokët Julian Troka, 24-vjeçar; dhe Kostandin Kreka, 18 vjeç, duket se kanë vendosur të kalojnë një ditë ndryshe. Pa i menduar gjatë pasojat, ata kanë rrëmbyer në shtëpinë e saj shtetasen me inicialet F.L. 13-vjeçare. Madje, mësohet se me të dy këta persona e mitura ka pasur marrëdhënie intime më parë. Pa dëshirën e kësaj të fundit, ata e kanë rrëmbyer për ta mbajtur për 24 orë pa dëshirën e saj. Pasi kanë abuzuar me të, të rinjtë e kanë lënë të lirë. Vetëm mëngjesin e të dielës, pas denoncimit që e mitura ka bërë në polici e shoqëruar nga familjarët e saj, ka nisur dhe hetimi i ngjarjes. Menjëherë janë prangosur dy të lartpërmendurit. Sipas policisë, Julian Troka, 24 vjeç, akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitura”, ndërkohë që shoku i tij Kostandin Kreka akuzohet për ”Marrëdhënie seksuale dhe homoseksuale me të mitur”. Vajza pas denoncimit, bëjnë të ditura burimet e policisë lokale, i është nënshtruar një vizite tek mjeku ligjor, ndërkohë që nga ana tjetër do të trajtohet nga një psikologe për traumën që i është shkaktuar.
Hetimet
Mësohet se Kreka ka qenë ai që ka pasur aktualisht një lidhje dashurore me të miturën, duke e kërkuar të të dalë vetëm për një sqarim nga banesa. Ajo nuk e ka menduar se historia do të merrte të tjera përmasa dramatike, ndërsa është rrëmbyer nga ky i fundit. Por nga ana tjetër edhe Troka në dy vitet e fundit mësohet të ketë pasur marrëdhënie intime me të miturën. Ngjarja, sipas policisë së Korçës, është shumë e rëndë, ndërkohë që hetimet për ta zbardhur atë të plotë vazhdojnë. Ky është një tjetër skandal seksual që ka sfond me abuzimin me të miturat në këtë qytet. Vetëm gjatë javës së kaluar në gjykatën e Korçës prokuroria ka kërkuar gjatë pretencës së saj plot 65 vite burg gjithsej për 5 të akuzuar për pedofili. Bëhet fjalë për babanë tutor, që shfrytëzonte dy vajzat e tij të mitura 8 dhe 10 vjeç, duke u gjetur klientë të moshuar kundrejt një shume prej 20 mijë lekësh të vjetra. Ngjarja ka bërë mjaft bujë, ndërsa tashmë një tjetër rast vjen me protagonistë të rinj, të cilët kanë abuzuar me një 13-vjeçare. Madje, ajo që është më dramatike në këtë ngjarje, është se vajza duke iu referuar fakteve të bëra zyrtare nga policia lokale ka kryer marrëdhënie seksuale me njërin prej të arrestuarve që në moshën 11-vjeçare.