Sherri për truallin e pallatit, ekzekutohet biznesmeni në Vlorë
Ardian Dervishi, 52 vjeç, u plagos rëndë dhe vdiq në spital disa orë më vonë. Ai dyshohet se u qëllua në mesditë, pas një grindjeje për tokën, nga Adnan Gori 31 vjeç.
Nuk kanë rënë dakord mbi pronësinë e truallit ku po ndërtohej një pallat dhe kaq ka mjaftuar që Adnan Gori, 31 vjeç, të qëllojë me kallashnikov në gjoks ndërtuesin Ardian Dervishi, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq më vonë në spital. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13.00 në afërsi të rrugës Transballkanikja në Vlorë, ndërsa policia tha se kishte identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin.
Krimi
Dëshmitarë në vendngjarje thanë se dy burrat, Dervishi dhe Gori, ishin takuar para vendit ku po ndërtohej pallati dhe kanë biseduar me tone të ashpra me njëri-tjetrin. Sipas tyre, pasi kanë shkëmbyer fjalë dhe janë fyer, njëri nga burrat duket se është larguar pak dhe ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në gjoks kundërshtarin e tij. Fillimisht u fol për katër plumba, por më pas policia saktësoi se biznesmeni Dervishi ishte qëlluar vetëm me një plumb. Ai ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar menjëherë për në spital. Mjekët thanë se ai ishte futur menjëherë në operacion, por plaga ka qenë e rëndë dhe ka prekur organe jetike. 52-vjeçari humbi jetën në spitalin e Vlorës rreth orës 7.30 të mbrëmjes, ndërsa autori i vrasjes, sipas policisë, është larguar dhe është shpallur në kërkim.
Motivet
Sipas të dhënave të policisë, Adnan Gori ka shkuar për të zgjidhur problemet e tokës, të cilën ai e pretendonte se e zotëronte, në vendin ku biznesmeni Ardian Dervishi po ndërtonte një pallat, dhe është armatosur me kallashnikov, pasi ai ka pritur që biznesmeni nuk do ta pranonte marrëveshjen. Ende nuk është e qartë se për çfarë kanë diskutuar në detaje dy burrat, por nga të dhënat dihet se ata kanë debatuar mbi pronën. Burime nga policia thanë se Gori pretendonte që toka në të cilën po ndërtohej godina në pronësi të biznesmenit ishte e tij dhe duket se i ka kërkuar atij pjesë apo ndalimin e ndërtimeve.
Kërkimi
Adnan Gori, banues në “1 maji” në Vlorë, është shpallur menjëherë në kërkim nga policia, ndërsa kjo e fundit njofton se ka vënë postblloqe në disa rrugë hyrëse e dalëse të qytetit. Sipas policisë, Gori është identifikuar menjëherë pas ngjarjes si autor i dyshuar i saj. Kanë qenë dëshmitarë okularë që kanë zbardhur për policinë atë që ka ndodhur në rrugën Transballkanike. Ndërkohë deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ende nuk ishte njoftuar nëse Gori ishte ndaluar apo jo nga policia.