Çaço: Kryesojmë me meritë, e vërtetojmë edhe me Adën
Futbollisti beratas i Luftëtarit, Ervis Çaço, mendon se edhe ndeshja e radhës do të kalohet me sukses nga ekipi i tij
Prognozat janë të favorshme për Luftëtarin pas shtyrjes së kampionatit për një javë, sepse, krahas të dënuarve Baci, Ramadani dhe Çaço, që munguan me Gramozin, në dispozicion të stafit do të jenë edhe të dëmtuarit Gaxhaj dhe Raboshta. Pra, në Velipojë nuk do të jetë i ndëshkuari Brahimi dhe me shumë mundësi edhe Shalari, i dëmtuar në ndeshjen e fundit.
Luftëtari do të jetë më i kompletuar në ndeshjen e radhës me Adën, por para saj do të presë Kastriotin për Kupën e Shqipërisë. Dhe kuptohet që në mesjavë do të luajë me formacionin e dytë, pasi të parin e mban për kampionatin. Ndoshta edhe Kastrioti nuk do të vijë me formacionin e tij më të mirë dhe kësisoj nuk është aspak çudi, që gjirokastritët të fitojnë dhe të pretendojnë kualifikimin për më tej, pasi oreksi hapet duke ngrënë. Megjithatë, përqendrimi total është në ndeshjet e kampionatit.
Çaço Beratasi Ervis Çaço, mesfushori i inkuadruar këtë sezon te Luftëtari dhe që ka realizuar 2 gola, tashmë i rehabilituar, thotë: Koha dyfish e gjatë për ndeshjen me Adën e tensionon ndoshta më shumë se sa duhet, sikundër edhe të tjerat, gjë që mund të sjellë edhe shkarkesa të forta. Dy javë përgatitje për një udhëtim të gjatë dhe duelin me një ekip, që në fushën e tij nuk ka njohur humbje.
Natyrisht që ata do të luftojnë për ta pasuruar këtë koleksion me fitore dhe barazime. Këto gjëra do të na vënë para përgjegjësisë për tu mobilizuar më shumë se në ndeshjet e mëparshme, sepse afër fundit të fazës së parë uria për pikë merr përmasa të llahtarshme. Ekipit tonë, për objektivin që ka, nuk i lejohet të humbas pikë, ose në rastin më të keq nuk i lejohet ta humbasë ndeshjen.
Pra, duhet të humbasë sa më pak pikë. Me Adën duhet të tregojmë dhe një herë se jemi në krye me meritë të plotë dhe do të vazhdojmë të jemi. Dhe këtë do ta bëjmë duke luajtur për fitore.
