E Diel, 1 Nëntor 2026

Baftjar Zeqo për fierakët po merr nofkën “mister Gjanica”

20-01-2013 / L. Lita

Ngritja e një komision hetimor parlamentar përgjegjësi publike

Kryebashkiaku i qytetit të Fierit, Baftjar Zeqo duhet të japë së më shpejt dorëheqjen. Fieri e meriton ndryshimin e administrimit të saj publik. Në rast të kundërt,  Parlamenti shqiptar duhet të ngrejë sa më shpejt një Komision hetimor parlamentar për Kryebashkiakun e Fierit për hedhur dritë për keqmenaxhimin e qytetit. Komisioni hetimor parlamentar duhet të hetojë shpërfilljen publike të Kryebashkiakut të Fierit, i cili në kundërshtim të detyrës shtetërore nuk përkujdeset për qytetarët e saj në ditët më të vështira. Një muaj pas përmbytjeve të dhjetorit lumi Gjanica ka dalë sërish nga shtrati duke përmbytur banesa dhe biznese. Pas çdo reshje shiu në qytetit e Fier, lumi Gjanica shkakton përmbytje biblike duke shkaktuar dëme të mëdha. Banorët e Fierit po largojnë  ujin dhe baltën për të dytën herë brenda 30 ditëve. Të vetëm , pa mbështetjen e pushtetit vendor. Kryebashkiaku Baftjar Zeqo  justifikohet prej 15 vitesh që projektin thellimit dhe pastrimit e kam gati, ndërsa shpërdoron paratë e taksapaguesve të Fierit me ndërtimin e veprës infrastrukturore në Fier, “Europa Plaza”, e cila është një glob 11 metra i lartë dhe diametër 7 metra në masiv hekuri. Kryetari socialist i Bashkisë Fier Zeqo prej tre mandatesh shpenzon shuma marramendëse për të inauguruar  vepra arti, siç ishte rasti i “Globit” ose ndryshe “Europa Plaza”, që ka kushtuar qimet e kokës, ndërsa për pastrimin e shtratit të lumit Gjanica s’ka fonde. Lumi Gjanica që kalon mes përmes qytetit të Fierit për shkak të reshjeve të dendura, por dhe si pasojë e mos pastrimit të shtratit të lumit nga ana e Bashkisë Fier shpërthen sa herë  si një furi drejt kateve të para të pallateve duke përmbytur mbi dhjetëra dyqane të tregut industrial, e qindra shtëpi banimi. Dëmet e përllogaritura që shkaktohen sa herë ndaj komunitetit të biznesit në këtë zonë kapin sipas vlerësimeve të para shifrën e qindra milionëve lekë. Prej 15 vjetësh në lumin Gjanica  nuk është ndërhyrë për largimin e inerteve përgjatë shtratit duke bërë që përmbytjet të jenë të shpeshta veçanërisht në sezonin e reshjeve. Qytetit i Fierit hyn në listën historike të qyteteve të përmbytura për shkak të keqqeverisjes së pushtetit vendor, e për më shumë të qeverisura kryesisht nga administratorë socialistë. Parlamenti shqiptar do të bënte një veprim me përgjegjësi të madhe publike për të zbardhur vështirësitë e jetës së qytetarëve të Fierit, të cilët jetojnë në kushte të pamunduara për të zhvilluar sipërmarrjen e tyre dhe jetuar një jetë dinjitoze. Baftjar Zeqo të japë dorëheqjen, qyteti I Fierit meriton ndryshimin.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›