Bagdad, shpërthimet e koordinuara vrasin 121 vetë
Një seri shpërthimesh të koordinuara në Bagdad të martën, vranë të paktën 121 persona. Në ngjarje u përfshinë dy makina me eksploziv si dhe një mjet tjetër, i cili shpërtheu pranë godinës së qeverisë. Kjo ishte ngjarja më e dhunshme në kryeqytetin irakian, ku prej një muaji pothuajse kishte rënë qetësia. Pesë sulme, nga të cilat edhe një kamikaz me makinë kundër një patrulle policie, kanë treguar aftësinë e militantëve për të goditur shënjestra të nivelit të lartë në qendër të Bagdadit, duke shënuar herën e tretë që nga muaji gusht që cenojnë ndërtesat qeveritare me shpërthime të shumëfishta. Shpërthimet ngritën sërish dyshime mbi përgatitjen e forcave irakiane të sigurisë, ndërkohë që trupat amerikane po largohen dhe Parlamenti zhvilloi një seancë të jashtëzakonshme, ku shumë ligjvënës ngrinin pyetje mbi problemet e sigurisë. Zëdhënësi i ushtrisë fajësoi për shpërthimet një degë të Al-Kaedës në Irak dhe anëtarë të partisë së ndaluar të Sadam Huseinit, “Baath”. “Të njëjtat duar që kryen sulmet në gusht dhe tetor kanë kryer edhe këtë sulm terrorist kundër civilëve të pafajshëm”, tha ai për AP. Në përgjithësi, deri në këtë moment ngjarjet e dhunshme kishin shënuar ulje në Irak, krahasuar me vitin e kaluar. Bombardimet shënuan incidentin më të dhunshëm që nga shpërthimi i dy makinave–bomba më 25 tetor janë zyrave qeveritare, ku humbën jetën të paktën 155 persona. Në gusht, bombarduesit goditën ministrinë e Financave dhe atë të Jashtme duke vrarë më shumë se 100 njerëz. Policia dhe mjekët e spitaleve kanë raportuar se të paktën 390 njerëz janë plagosur nga shpërthimet e djeshme. Por nga Ministria irakiane e shëndetit thuhet se njerëz të plagosur janë mbi 500. Rreth një orë para shpërthimit, shoferi i një makine me eksploziv goditi një patrullë policie në lagjen sunite, Dora, në jug të Bagdadit. Në pjesën lindore të kryeqytetit irakian një bombë shpërtheu në anë të rrugës pranë Universitetit të Teknologjisë, duke mos arritur të godisnin një patrullë policie që po kalonte, por duke vrarë civilë kalimtarë. Edhe dy makina të tjera ishin me eksploziv me shoferë vetëvrasës. Njëra ishte ambulancë e drejtuar në Ministrinë e Financave dhe tjetra kishte synim të hidhte në erë barrikadën e ndërtesës të Gjykatës së Apelit. Makina shpërtheu ndërsa rojat hapën zjarr duke shkaktuar dëme të mëdha në Gjykatë.