E Shtunë, 31 Tetor 2026

Art me mbetje urbane, në mbrojtje të mjedisit

 

Maketi i kryeqytetit ndërtuar me mbetje të konsumit të përgjithshëm, harta e Shqipërisë e ndërtuar me kunja shkrepësesh... Nën titullin „waste trAnsfoRmaTion”, nxënës nga 11 gjimnaze të Tiranës ekspozuan dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar vepra arti të krijuara me mbetje urbane. Ata vijnë nga shkolla të ndryshme dhe ndjeshmëria e tyre ndaj mjedisit është shprehur në forma nga më të larmishmet. Instalacione interesante prekin aspekte të ndryshme nga fusha e mjedisit, me shpresën e sensibilizimit të komunitetit ndaj kësaj teme. Materialet e shfrytëzuara janë mbetje si shishe e tapa plastike, qelq, letër, dru, hekur, bishta cigaresh etj. Janë gjurmët që lë pas çdo ditë një qytet plot jetë. Nxënësit nga gjimnazet “Qemal Stafa”, “Sami Frashri”, “Ismail Qemali”, “Partizani”, “Petro Nini Luarasi”, etj., kërkojnë që nëpërmjet punës së tyre të komunikojnë që mbetjet mund të perceptohen edhe nga perspektiva të tjera. Kësaj nisme i është bashkuar edhe një grup muzikor nxënësish nga Austria, “Crazy Trash Drummers”, të cilët luajnë muzikë me instrumente të krijuara vetë prej mbeturinave. Përveç nxënësve dhe mësuesve të shkollave, në ceremoninë e hapjes morën pjesë edhe Ambasadori austriak në Shqipëri, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Bashkisë së Tiranës, Raiffeisen Bank, PNUD-it, Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimeve, Drejtorisë Arsimore, etj. Në kuadrin e sensibilizimit për mbrojtjen e mjedisit, në hollin e Muzeut Kombëtar është hapur një tjetër ekspozitë me posterat e fushatave publicitare më të mira në botë për ambientin. Janë vepra më vete të realizuara për tema si mbrojtja e pyjeve, e ajrit, etj. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 20 dhjetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›