Bahrein, mbetet e rëndë situata pas përleshjeve

Në Bahrejn është shpallur situata e “orës policore”, pas përleshjeve të zhvilluara ndërmjet protestuesve dhe forcave të sigurisë, ku të paktën 5 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën. Gjatë ditës së mërkurë, forcat e sigurisë morën kontrollin ndaj kampit të protestuesve, në një shesh të kryeqytetit Manama, që ishte qendër e protestave disajavore të shiitëve, që kërkonin përfundimin e mbretërisë së udhëhequr nga sunitët. Mjekët në spitalin kryesor thanë se godina e tyre ishte marrë nga forcat e sigurisë, dhe kjo situatë ndërlikonte përpjekjet për trajtimin e të plagosurve. Autoritetet në Bahrejn kanë arrestuar të paktën 6 liderë të opozitës, një ditë pas goditjes së protestuesve antiqeveritarë në qendër të kryeqytetit Manama. Rrugët, janë të qeta, por tepër të tensionuara, me ushtarë që po patrullojnë pas vendosjes së shtetrrethimit gjatë natës. Presidenti amerikan, ka kërkuar nga mbreti i Bahreinit dhe ai i Arabisë Saudite të ndjekin dialogun politik dhe të ushtrojnë "përmbajtje maksimale" ndaj protestuesve.
Presidenti ka shprehur shqetësimin e tij të thellë në lidhje me dhunën në Bahrein dhe ka theksuar nevojën për përmbajtje. Edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se Bahreini dhe aleatët e tij, të cilët kanë dërguar trupa për të ndihmuar në vendosjen e rendit, janë në "rrugë të gabuar". Klinton, në një intervistë për televizionin amerikan, u ka bërë thirrje autoriteteve të Bahreinit të negociojnë një marrëveshje politike me demonstruesit. Bahareini është aleat strategjik i SHBA-ve dhe bazë e Njësisë së pestë të marinës amerikane.