E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern-Lion, sot sfida e surprizave

Gjermanët mbështeten te dyshja Roben-Riberi. Francezët synojnë golin në Mynih

Dy ndeshje deri në Madrid, tre deri te triumfi: Në rrugën e një sezoni krejtësisht të çmendur në Champions League, Bajerni i Mynihut i ka besuar artit të Arjen Robeni dhe zhdërvjelltësisë së Riberi, tek e cila do të mbështetet deri në fund. As skandali seksual i Riberisë, as mungesa e Luis van Galit në stërvitjen e së hënës dhe tashmë as Lioni nuk mund t’i ndalë. Megjithatë, kjo është përballja e surprizave, pasi ndeshen dy skuadra, të cilat askush nuk e kishte menduar se do të arrinin deri këtu. Bajern Mynih dhe Lion meritojnë gjithë respektin e duhur, sepse kanë arritur në këtë gjysmëfinale në të njëjtën mënyrë si Barcelona dhe Interi. Të dyja janë skuadra me lojtarë cilësorë dhe kanë një histori të madhe mbi shpatulla. Lion arrin për herë të parë në një gjysmëfinale, por për 3-4 vite radhazi ka luajtur në çerekfinale. Në këtë sezon ka eliminuar Realin e Madridit dhe Bordonë. Ndërsa Bajerni ka një ndër trajnerët më të mirë në botë, lojtarë cilësorë dhe një histori të pasur në Champions.

“Lioni ka të njëjtën mënyrë loje si Hanoveri, prandaj për ne ishte një stërvitje e mirë”, u shpreh Van Gal pas ndeshjes me Hanoverin, të cilën e konsiderojë si një test të rëndësishëm para sfidës së sotme: “Kur fiton 7:0, fiton më shumë vetëbesim”. Pritshmëria është e madhe për një festë futbolli para syve të 66000 shikuesve në stadiumin “Allianz Arena”. Të gjithë janë të paduruar dhe mezi presin fërshëllimën e gjyqtarit italian, Roberto Roseti. “është një kënaqësi e madhe të luash në një gjysmëfinale. Kemi pritur shumë gjatë për këtë”, thotë lojtari i Kombëtares gjermane, Bastian Shvajnshtajger. Nga autsajder në çerekfinalen kundër Mançesterit, Bajerni e shikon veten papritmas në rolin e “favoritit të lehtë”, siç thotë trajneri i Gjermanisë, Johakim Lëv, i cili pret një sfidë të fortë. “Na presin javë të vështira”, thekson shefi i Bajernit, Karl-Heinz Rumenige. Tripleta historike i josh, sidomos pas atij fillimi të vështirë të sezonit në drejtimin e Van Galit, kur askush nuk e imagjinonte dot të arrinte deri këtu. “Në fillim të sezonit askush nuk e mendonte se Bajerni mund të arrinte gjysmëfinalen”, sqaron ai. Ndërsa tani të gjithë shikojnë pranë finalen e ëndërruar të Madridit. “Ne jemi gati”, siguron sulmuesi Ivica Oliç.

Franc Bekenbauer shikon shanse të mira për gjermanët, për të shkuar në finale. Por nënvizon se francezët nuk duhen nënvlerësuar. “Janë dy ndeshje vendimtare, duhet të paraqitemi mirë në të dyja për të shkuar përpara, mendon ‘der Kaiser’. “Natyrisht do ishte bukur të fitonim sërish Champions-in, por do ta kemi më të vështirë të fitojmë titullin në Bundesligë”. Në skuadër është rikthyer edhe Riberi, i cili pohon se është në formë, ndërsa Van Gal, për të lënë të qetë francezin nga problemet në lidhje me seks-skandalin me minorene, e ka hequr nga lista e të pranishmëve në konferencën e djeshme për shtyp dhe ka vënë Filip Lamin. “është marrë në pyetje, pasi mund të jetë në dijeni të fakteve, por e kam parë atë shumë të përqendruar te Lioni”, nënvizon trajneri. Ndërsa Lioni ka mbërritur në Bavari dje paradite. Ata janë nisur nga Shtutgarti, ku kishin kaluar natën, më pas kanë mbërritur në Mynih, pas katër orësh udhëtim me autobus. “Ka qenë një udhëtim i lodhshëm, ka thënë braziliani Kris. Vijmë në këtë ndeshje nga sfida në Ligue 1 ndaj Bordosë, por për fat kemi kohë për t’u rikuperuar. Luajmë një gjysmëfinale Champions-i dhe të gjitha problemet e tjera nuk duhen marrë parasysh fare”. Ndërsa trajneri i francezëve, Klod Pyel, thekson: “Do ta ndalim dyshen Roben-Riberi. Do të na mjaftonte një gol për të shpresuar te kualifikimi”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›