Vullkani bllokon Calciopoli-n, seanca shtyhet për më 27 prill
Seanca e gjashtë e gjyqit “Calciopoli” është shtyrë për në datën 27 prill. Vendimi u mor për shkak të mungesës në sallë, pas bllokimit të fluturimeve prej resë vullkanike të dy dëshmitarëve të akuzës: ata janë ish-trajneri i Juves dhe Milanit, Karlo Ançeloti dhe inspektori i policisë, Salvanjo, i cili ka kryer hetimet rreth telefonatave të regjistruara nga Prokuroria e Torinos. Dy dëshmitarët do të merren në pyetje në seancën e ardhshme. Ndërkohë, telefonatat “e zbuluara” nga avokatët mbrojtës të Luçiano Moxhit do t’i shtohen pjesës tjetër të dokumentacionit në këtë gjyq. Tereza Kasoria, presidentja e seksionit të nëntë të Gjykatës së Napolit, shpjegoi se më 4 maj do të përcaktohen ekspertët që do të transkriptojnë bisedat telefonike, mes të cilave janë edhe rreth 20 regjistrime të kërkuara nga avokatët e ish-përcaktuesit të gjyqtarëve, Pierluixhi Paireto. Në përfundim të seancës së djeshme, ish-gjyqtari Masimo De Santis, i cili është mes të akuzuarve në gjyq, bëri disa deklarata spontane: “Jeta ime u trondit. Nëse kam gabuar, jam i gatshëm të paguaj. Por, nëse kanë gabuar të tjerët, është e drejtë që të paguajnë ata, tha ai. Jam vënë nën vëzhgim në mënyrë të paligjshme nga grupi ‘Telecom Pirelli’ dhe e njëjta gjë ndodhi edhe me familjen time. E kam mbajtur gojën të kyçur për 4 vjet, kam të drejtën të them atë që mendoj”. Në këto momente, De Santis u ndërpre nga Kasoria: “Ju kujtoj se jeni ende i akuzuar, por mesa shoh jeni vetëshpallur i pafajshëm”.
#