E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern-Man.Siti, superdueli i së martës në Champions

TIRANE-Bajern-Mançester Siti është përballja më e fortë e së martës në ndeshjet e dyta të Champions League. Bavarezët vijnë në këtë ndeshje pas një ecurie shumë pozitive, në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që përballë do të kenë një skuadër të mbushur me yje të super paguar. Problemi më i madh për Mançinin është marrja e vendimit nëse do të luajë me Karlos Tevez apo me Serxhio Agueron në sulm. Pas barazimit 1-1 me Napolin, ekipi anglez nuk do të ketë të gatshëm Mario Balotelin e pezulluar, ndërsa në sulm janë Edin Xheko, Serxhio Aguero e Karlos Tevez. Një tjetër mungesë për britanikët është ajo e Adam Xhonson. “Mendoj se mund t’i sulmojmë siç bëjmë në shtëpi, - tha spanjolli David Silva. – Ne duhet të shfaqim principet tona të të luajturit dhe nuk ka nevojë të ndryshojmë stilin tonë ndaj ekipeve të tjera, brenda apo jashtë fushe”, shtoi ai.
Ndërkohë, Bajerni i Mynihut nuk do të ketë mbrojtësin Holger Badshtuber që është me grip, ndërsa edhe Arjen Roben mund të mos jetë gati të luajë si titullar edhe pse ai u rikthye në fushë ndaj Bajer Leverkusen. “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë për ne, - tha trajneri i Bajernit Jup Hejnkes. – Mançester Siti ka të njëjtën kuotë pikësh si Mançester Junajtid dhe kjo tregon shumë gjëra. Ata janë një ekip i madh tashmë në Evropë dhe unë jam shumë i impresionuar pas tyre”, shtoi tekniku gjerman. Bavarezët janë ndeshur 9 herë me Mançester Junajtid në Evropë, por asnjëherë me Sitin. Bajerni e nis këtë ndeshje me statusin e favorites, pavarësisht se përballë ka kryesuesit e Premier Ligës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›