Interi shkon në “ferrin” rus, duhet patjetër fitorja
TIRANE-Liga e Kampioneve zhvillon të martën në mbrëmje tetë ndeshjet e tjera të fazës në grupe, që këtë vit duket më interesante se kurrë. Mbrëmja do të nisë me përballjen mes CSKA Moskës dhe Interit në 18.30, ndërkohë që më pas, do të jetë radha e sfidave të tjera, më kryesorja ajo mes Bajernit dhe Mançester Sitit. Për italianët e Interit, transferta e nesërme është kyçe për fatet e tyre në Champions, pas disfatës së pësuar në ndeshjen e parë ndaj Trabzonsporit. Zikaltërit nuk kanë asnjë pikë, ndërsa përballë do të kenë një ekip që në fushën e vet është një “kockë” shumë e fortë. “Kam zhvilluar vetëm dy seanca stërvitore dhe me këto dy seanca nuk mund të bësh gjëra të mëdha, - deklaroi trajneri Klaudio Ranieri në prag të kësaj sfide. – Gjëja e parë që bëra ishte kthimi i skuadrës në mënyrën e vjetër të të luajturit”. Por, a mund të ecin zikaltërit në Evropë ashtu siç bënë dy vjet më parë nën drejtimin e Murinjos? “Interi është një potencë, - përgjigjet Ranieri. – Kemi bërë një hap fals dhe siç tha Zaneti, mund ta rimarrim veten, pasi rruga është ende e gjatë. Me CSKA Moskën është një ndeshje shumë e vështirë dhe impenjative, sepse të gjitha skuadrat ruse janë të vështira. Do të përpiqemi të mos bëjmë gabime”, tha më tej trajneri i Interit. Zikaltërit do të zbresin në stadiumin “Luzhniki” pa një pjesë të mirë të lojtarëve, duke nisur nga holandezi Uesli Shnajder.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)