E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali pret Ajaksin, Karanka: Janë më të fortë se vjet

TIRANE-Reali i Madridit synon të përforcojë pozitat e tij në grupin D, teksa të martën do të presë në “Santiago Bernabeu” Ajaksin e Amsterdamit. Bëhet fjalë për një ndeshje mes dy skuadrash që e kanë fituar më shumë këtë trofe, ndonëse për momentin madrilenët kanë një diferencë të madhe nga ekipi rekordmen i Holandës. Zhoze Murinjo ka një skuadër në formë të shkëlqyer, që të shtunën i shënoi 6 gola Rajo Vajekanos, ndërsa Ajaksi nuk ka arritur asnjë fitore në tre ndeshjet e fundit. Një vit më parë Reali fitoi brenda dhe jashtë ndaj holandezëve, por për ndihmësin e Murinjos Aitor Karanka, Ajaksi ka ndryshuar. “Mendoj se Ajaksi është në formë më të mirë se një vit më parë, - tha Karanka. – Janë thuajse e njëjta skuadër dhe kanë një vit më shumë që punojnë së bashku. Do të jetë një ndeshje e komplikuar”, shtoi ai. Edhe për mbrojtësin Arbeloa, Ajaksi është një ekip për t’u marrë në konsideratë. Reali regjistron 3 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje në përballjet me Ajaksin.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›