E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern dhe Lion, me mbrojtjen të copëtuar

Gjermanët, në gjysmëfinalen e kthimit, me dyshimet për Demikelis, Van Bujten e Timoshuk

Bajerni i Mynihut është i përgjysmuar përpara gjysmëfinales së kthimit në Champions League në fushën e Lionit: pas skualifikimeve të Frenk Riberi dhe Danijel Pranjiç, të cilat kanë lënë të zbuluar krahun e majtë, gjatë dy ditëve të fundit problemet janë spostuar në repartin difensiv. Martin Demikelis, Daniel Van Bujten dhe Anatoli Timoshuk jenë seriozisht në dyshim për sfidën e sotme në “Stade de Gerland”. Demikelis u zëvendësua në fund të pjesës së parë, në ndeshjen e kampionatit kundër Mynshengladbahut, për shkak të një kontraktimi në pulpë. Në të njëjtën përballje, edhe Van Bujten u detyrua të braktiste lojën pas një përplasjeje të fortë me sulmuesin kundërshtar, Bobadila. Të dy mbrojtësit titullarë kanë udhëtuar së bashku me pjesën tjetër të skuadrës drejt Francës, megjithatë vetëm pak orë përpara ndeshjes do të vendoset nëse ata do të japin kontributin në mbrojtjen e avantazhit 1-0 të Bajernit. Ndërkohë, Timoshuk ka qëndruar në shtëpi për shkak të një virozë sezonale. Një problem me peshë në mesfushë, që e bën të domosdoshëm rikuperimin e shpejtë të Altintop. “Sot (dje) në mëngjes më telefonuan dhe më thanë se Anatoli ishte i sëmurë dhe qëndroi në shtëpi”, tha Van Gal vetëm pak çaste, pasi aeroplani i bavarezëve u ul në Lion. “Kam ardhur me 17 lojtarë, por mund të aktivizoj vetëm 11 prej tyre: pra nëse 3 mungojnë, kjo do të thotë se kam 14 futbollistë të gatshëm. Shpresoj të rikuperoj të paktën njërin ndërmjet Van Bujten ose Demikelis, të cilin do të mund ta aktivizoj përkrah Badshtuber, që është i vetmi me rolin natyral si mbrojtës qendre”. Bajerni ka rekordin më të keq difensiv nga katër skuadrat që luajnë në gjysmëfinalet e Champions. Deri më tani, gjermanët kanë pësuar 13 gola në ndeshjet europiane. Gjithsesi, tekniku holandez është optimist, edhe sepse ai synon që skuadra të luajë për të shënuar dhe jo për t’u mbrojtur. “Nuk jemi nga ato skuadra që përpara se të hyjmë në fushën e lojës mendojnë të mos pësojnë gol. Që prej fillimit të sezonit nuk ia kam kërkuar diçka të tillë lojtarëve dhe sigurisht që nuk do ta bëj një gjë të tillë të martën”, përfundoi Van Gal.

Në anën tjetër, Lioni e ka shfrytëzuar fundjavën për t’u përgatitur vetëm për ndeshjen me Bajernin e Mynihut. Pas akordit me Federatën Franceze, skuadra e drejtuar nga Puel do të luajë në një periudhë të mëvonshme sfidën e parashikuar me Monakonë. Francezët shpresojnë të rikuperojnë mbrojtësin Bumsong për të zëvendësuar të skualifikuarin Tulalan, në qendër të repartit difensiv. Bodmer vazhdon të qëndrojë në infermieri, ndërsa braziliani Kris është në dyshim për shkak të një goditjeje të pësuar në gju në gjysmëfinalen e parë. “Në ndeshjen e kthimit, duhet të luajmë ndryshe, të ndryshojmë mentalitetin. Në Gjermani menduam më shumë të mbroheshim: nëse synojmë finalen nevojitet një taktikë më ofensive”, deklaroi sulmuesi Lisandro Lopez. “Diçka të tillë e kemi bërë në ‘Bernabeu’ kundër Realit dhe jam i sigurt që mund ta përsërisim atë paraqitje”. Ndërsa trajneri Puel shtoi: “Preferoj këtë lloj situatë (dizavantazhin 1-0), pasi Lioni është një skuadër që luan më mirë kur e ka të qartë se duhet të hyjë në fushë dhe të marrë rezultat pozitiv”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›