Skandali me Realin, prokuroria nuk gjen fajtor
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur çështjen e “blackout”-it në stadiumin “Qemal Stafa”, gjatë miqësores së luksit që Gramozi zhvilloi me Realin e Madridit në fillim të këtij viti. Hetuesve u janë dashur tre muaj që të zbulojnë se shkak i figurës së keqe u bë amortizimi, ndërsa askush nuk është shpallur fajtor. “Dosja e fikjes së dritave në stadiumin ‘Qemal Stafa’ është mbyllur përfundimisht. Ekspertiza ka nxjerrë si shkak djegien e transformatorit prej mungesës së vajit dhe vjetërsisë së tij”, pohuan burime nga prokuroria. Në ndeshjen e luajtur më 20 janar, vetëm pak çaste përpara fillimit të pjesës së dytë u fikën dritat, ndërsa “galaktikët” qëndruan për afro 90 minuta në dhomat e zhveshjes së impiantit më të madh në vend. Me urdhër të presidentit “merenegue”, Florentino Perez, yjet e futbollit ndërkombëtar si Kristiano Ronaldo, Kaka, Ksabi Alonso, Raul, Serxho Ramos e shumë të tjerë qëndruan në qetësi duke pritur ardhjen e një gjeneratori për të vazhduar ndeshjen. Miqësorja u mbyll me rezultatin 2-1 për gjigantët spanjollë, të cilët fituan edicionin e dytë të trofeut “Taçi Oil”, por ajo që ndodhi ishte goditja përfundimtare për imazhin e Shqipërisë. Skandali u pasqyrua edhe nga të gjitha mediat ndërkombëtare, madje nuk munguan as tonet tallëse për këtë ngjarje të çuditshme ku më shumë zgjati pushimi ndërmjet pjesëve sesa ndeshja në vetvete. Ndërkohë, pas incidentit, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, shkarkoi nga detyra drejtorin e stadiumit, Perikli Dhales. Në vend të tij u emërua Gazmend Sollaku, i cili vazhdon ta kryejë këtë detyrë.
#