E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj, Bala e Cani, risitë me Malin e Zi dhe Andorrën

Kuzhe: Nuk jam i kënaqur prej mosaktivizimit të disa lojtarëve

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, po kërkon “gjak të ri” për skuadrën. Në miqësoret e radhës, më 25 maj kundër Malit të Zi në Podgoricë dhe 2 qershor në Tiranë kundër Andorrës, trajneri pritet të afrojë të paktën tre futbollistë të rinj në ekipin kuqezi. Një prej atyre që e ka të sigurt një ftesë është mesfushori i Laçit, Emilian Veliaj, i cili ka qenë një prej elementëve kryesorë të skuadrës së drejtuar nga Stavri Nica në kampionat. Ndërkohë, në repartin ofensiv janë rritur kuotimet e dy talenteve të sulmit. Bëhet fjalë për 19-vjeçarin e Vllaznisë, Bekim Bala dhe 20-vjeçarin e Palermos, që militon në formë huazimi te Piaçenca në Serinë B italiane, Edgar Cani. Një alternativë cilësohet edhe sulmuesi i U-21, Ahmed Januzi, i cili militon te Vorskla Poltava në Ukrainë. Nga lojtarët që luajnë në Kategorinë Superiore, shanse të mira ka edhe mesfushori i Tiranës, Gjergji Muzaka, ndërsa pritet të mos mungojnë edhe të zakonshmit Andi Lila, Emiliano Vila dhe Elis Bakaj, të cilët janë shndërruar në pjesë të përhershme të kontingjentit. “Do të më pëlqente të kishim në dispozicion një grup më të madh lojtarësh të cilët mund të aktivizohen me Kombëtaren. Aktualisht, në ekip kemi rreth 25 futbollistë, por shoh 4-5 lojtarë të rinj që mund të grumbullohen nga Kategoria Superiore si Muzaka, Vila, Lila, Bakaj, por edhe Emilian Veliaj i Laçit. Gjithashtu, po vëzhgoj edhe lojtarë të tjerë që luajnë jashtë vendit dhe që mund të aktivizohen me përfaqësuesen e Shqipërisë, si Edgar Cani, sulmuesi i Piaçencës në Itali. Por, ka edhe disa të tjerë”, deklaroi Kuzhe për “Top Channel”. Lojtarët e kampionatit, që duket se e kanë humbur shansin janë Gentian Muça i Dinamos dhe Tefik Osmani i Tiranës. Kuzhe nuk e ka fshehur vlerësimin për mesfushorin blu në fillim të sezonit, ndërsa Osmanit ai i kishte premtuar se do t’i jepte një shans në përfaqësuese. Gjithsesi, fakti që asnjëri prej tyre nuk po aktivizohet me ekipet respektive, ka bërë që trajneri kroat t’i heqë nga lista.

Më tej, drejtuesi i stolit kuqezi është shprehur i pakënaqur për formën e dobët që po kalojnë një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve në ligat europiane, ndërsa ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme miqësoret me Malin e Zi dhe Andorrën. “Gjatë gjithë kohës vëzhgojmë formën e lojtarëve tanë, por nuk jam 100 për qind i kënaqur, pasi disa futbollistë nuk luajnë në klubet e tyre. Gjithsesi, ky problem që ka ekzistuar edhe më parë. Askush nuk ka probleme apo dëmtime, duke përjashtuar këtu Lalën, i cili u operua gjatë javës së kaluar dhe që shpresoj të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë eliminatore kundër Rumanisë”, vazhdoi Kuzhe. “Jam i kënaqur nga dy miqësoret që kemi siguruar. Mali i Zi luan afërsisht si Rumania, ndërsa me Andorrën në Tiranë nuk do të jetë një sfidë e bukur, por ajo është një përgatitje e vlefshme për takimin e parë të Euro 2012 në shtëpi me Luksemburgun”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›