E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern-elsi dhe akuza e Henes

Presidenti i Bajernit të Mynihut ka punuar që gjatë këtyre 30 vjetëve klubi bavarez të shndërrohet në një kolos të vetëfinancuar të futbollit. Kjo bën natyrshëm që ai të urrejë klubet që janë të suksesshme vetëm falë pronarëve multi-miliarderë, të cilët shpenzojnë shifra të çmendura në merkato.

Sipas gjasave, ai do të jetë ulur përkrah Roman Abramoviç në tribunën VIP të “Fusbal Arenas” në finalen e Champions League më 19 maj, kur Bajerni do të luajë përballë Çelsit. Kjo bën që natyrshëm të rikujtohen akuzat e katër viteve më parë, që Hënes bënte kundër pronarit të bluve londinezë.

“Zemërohem çdo javë sa herë mbush makinën me karburant. Mafia e karburanteve vjedh lekë nga xhepat e mi dhe të gjithë njerëzve për ti investuar në futboll. Zoti Abramoviç është një ndër këta persona”, ishin fjalët e presidentit të klubit bavarez. Ai vazhdonte: “Çfarë mund të bëjmë? Thjesht të mposhtim skuadrat si Çelsi në fushën e lojës. Kjo do të na jepte një kënaqësi të madhe”

Hënes ka qenë menaxher I përgjithshëm I Bajernit për tre dekada përpara se të emërohej president në vitin 2009 në vend të Franc Bekenbauer dhe ai vlerësohet në Gjermani si drejtuesi vizionar që e ktheu Bajernin në një superfuqi ekonomike të futbollit.

Ndërsa gjatë verës së kaluar Bajerni regjistroi sezonin e 19-të radhazi me bilanc pozitiv, humbjet e Çelsit përllogariteshin në afro 84 milionë euro. Revolucioni i Hënes nisi në vitin 1984, kur Bajerni u detyrua të shiste Karl-Hainc Rumenige te Interi për afro 6.2 milionë euro, shifër mjaft e madhe në atë kohë dhe u betua që kurrë nuk do të ishte I detyruar të largonte një tjetër yll për çështje financiare.

Bajerni është një klub që krahasohet me Arsenalin përsa I takon mënyrës së menaxhimit, ku ndryshimi thelbësor me “topçinjtë” është që bavarezët fitojnë trofe. Në fakt, me Hënes në krye, skuadra ka fituar 39 trofe,. Mes të cilëve Champions League-n dhe 17 tituj në Bundesligën gjermane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›