E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern pret Marsejen

Me rezultatin e ndeshjes së parë, bavarezët janë thuasje të sigurt në kalimin drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve. Por, si gjermanë të vërtetë, trajnerët dhe lojtarët e Bajernit nuk duan të mendojnë para kohe për Realin e Madridit, por përqëndrohen tek përfundimi i detyrës së nisur një javë më parë në Francë, ndaj Marsejës. Trajneri Hajnkes e thekson fort këtë gjë.

 “Nuk do ta nënvleftësojmë kundërshtarin, kjo është e sigurt. i respektojmë francezët përderisa kanë ardhur deri këtu. Dua të shtoj se skuadra ime është shumë e përqëndruar dhe mendoj se do ta marrim ndeshjen seriozisht. Nuk duhet të flemë gjumë pas fitores së parë. Ne duam ta shijojmë momentin duke vazhduar të luajmë me pasion, pikërisht siç bën kjo skuadër dhe kjo më bën të lumtur”, u shpreh Hajnkes.

Mario Gomez, shënuesi kryesor i skuadrës, i mban ison trajnerit të tij.

 “Natyrisht, ne e dimë se ndeshja do të jetë e vështirë. Ishte po ashtu një ndeshje shumë e vështirë në Marsejë, ndonëse rezultati 2-0 ishte shumë i mirë për ne. Por, në futboll mund të ndodhin gjëra të çmendura. Ne nuk jemi skuadër që duam thjesht të kualifikohemi, por do të luajmë sipas mënyrës sonë dhe do të synojmë të fitojmë, ndonëse nuk do të jetë një shëtitje”, deklaroi ai.

Objektivisht, Bajerni është tepër i fortë për francezët dhe ndoshta diskutimi kualifikim është i mbyllur, megjithatë për shkak të edukatës, por edhe për shkak të publikut, skuadra bavareze do ta bëjë detyrën në “Alianc Arena”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›