E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë arsye për rënien e Cityt

Manchester City dukej favorit për të fituar titullin këtë sezon në Premierligë. Por, një seri e rezultateve negative në javët e fundit ka bërë që ata të humbin kreun dhe hapin me liderin, Manchester United. Çka është duke shkuar keq në ekipin e Roberto Mancinit?

Deri para pak më tepër se një muaj, Manchester City konsiderohej favorit në garë për titull në Premierligë, pasi ishte në seri të rezultateve pozitive dhe kishte krijuar epërsi të konsiderueshme ndaj përcjellësit të parë, rivalit të qytetit, Manchester United. Por, gjendja ndryshoi në mënyrë drastike në javët e fundit dhe City humbi kreun, ku tani gjendet United, që synon të marshojë drejt mbrojtjes së titullit të kampionit. E përditshmja britanike The Telegraph ka bërë një përmbledhje të pesë arsyeve për rënien e Cityt.

Roberto Mancini

Menaxheri i Cityt ka reputacion si disiplinues, por kur homologët e tij Sir Alex Ferguson dhe Jose Mourinho janë të gatshëm të zbusin qëndrimet e tyre të ashpra po qe nevoja, Mancini ngec. Menaxhimi i tij ka fituar pak adhurues brenda zhveshtores, derisa sjellja e Mario Balotellit dhe besimi i Mancinit për aktivizimin e tij thuhet se ka shqetësuar një numër të futbollistëve. Përplasjet e Mancinit me Gareth Barryn dhe James Milnerin tregojnë refuzimin e tij për kompromis.

Lodhja

Derisa pas humbjes nga Swansea më 11 mars pranoi se futbollistët “mund të jenë të lodhur”, Mancini i lejoi faktorit lodhje të instalohet në mendjen e tyre. Por, shenjat janë shfaqur nga fillimi i vitit, e që u konfirmua me vuajtjet e David Silvas. Spanjolli është paraqitur si titullar më tepër se cilido futbollist tjetër, kurse Yaya Toure nuk ka pushuar pas rikthimit nga detyra ndërkombëtare me Bregun e Fildishtë në Kupën e Afrikës.

Lëndimet

Përmendni lëndimet e Cityt dhe United menjëherë do të kundërpërgjigjet, duke përmendur mungesat e Nemanja Vidicit dhe Darren Fletcherit. Derisa City nuk ka qenë i prekur nga lëndimet në muajt e parë të sezonit, dhoma e tretmanëve ka qenë mjaft e zënë në javët e fundit. Vincent Kompany dhe Joleon Lescott, të dy kanë munguar në ndeshje të rëndësishme, kurse tani nuk janë në dispozicion Gareth Barry, Pablo Zabaleta dhe Sergio Aguero.

Parashikueshmëria

Në fillim të sezonit, Plani A i Cityt ishte shkatërrues. Formacioni 4-2-3-1 i Mancinit ishte solid në mbrojtje dhe i pandalshëm në sulm. Por, tetë muaj më vonë, sistemi nuk ka ndryshuar. Çdo mbrojtës kundërshtar e di se Silva dhe Nasri nuk do të harkojnë nga krahët dhe se gjithçka do të shkojë nga qendra. Vetëm Balotelli është i paparashikueshëm, por bashkëlojtarët e tij janë po aq të pavetëdijshëm sa edhe vetë kundërshtarët rreth asaj se çka do të bëjë italiani.

Manchester United

Në çfarëdo sezoni tjetër, 71 pikë nga 31 ndeshje do të mjaftonin që City të qëndronte i pa rrezikuar në krye. Por, forma e Unitedit nga fillimi i vitit dhe aftësia për të tejkaluar orarin e ngjeshur të ndeshjeve ka qenë e jashtëzakonshme. Gara për titull këtë edicion është duke i ngjarë asaj nga sezoni 1995-96, kur Newcastle u tejkalua nga ekipi i Sir Alex Fergusonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›