Bajerni, Hitzfeld: Klose-Toni, makineri golash

Kur klubi më i pasur i Gjermanisë, Bajerni i Munihut, vendosi të blejë nga Fiorentina Luka Tonin, një nga sulmuesit italianë më pjellorë të viteve të fundit, ishin të paktë ata që besonin se "Këpuca e artë" e Italisë për sezonin 2005-2006 do t'ia dilte në kampionatin gjerman. "Këpuca e artë" e Europës (2006) nënshkroi një kontratë 4-vjecare me Bajernin, ndërsa transferimi i tij nga Fiorentina në Munih kushtoi 11 milionë euro. Të dielën kundër Karlsruhes, Luka Toni shënoi golin e parë në fitoren 4-1 dhe me të u bashkua edhe golashënuesi më i mirë i Kampionatit Botëror 2006, ish-sulmuesi i Verder Bremenit, Miroslav Kloze, transferimi i të cilit i kushtoi arkës së Bajernit 13 milionë euro. Të dy sulmuesit gjigantë, Luka Toni (194 cm) dhe Miroslav Kloze (182 cm) janë jo vetëm dy golashënuesit më të mirë të Bajernit, por dhe të Bundesligës gjermane deri tani. Në gjashtë ndeshje, Bajerni ka shënuar 16 gola dhe 9 prej tyre i përkasin dyshes së re sulmuese të rekordmenëve gjermanë: Miroslav Kloze dhe Luka Toni. Shtypi gjerman e ka përcaktuar ciftin e ri si një "makineri golash", teksa kanë një rendiment shumë të lartë realizimi (0.56 për qind të golave të realizuar nga krejt skuadra). Pesë gola të shënuar nga Kloze në pesë ndeshje, 4 gola të realizuar nga Toni në po aq ndeshje së bashku edhe 7 gola të shënuar nga pjesa tjetër e skuadrës (në total 16 gola), e bëjnë Bajernin ekipin që ka realizuar më shumë në gjashtë javët e para. "Luka nuk ka nevojë për shumë shanse për të shënuar gola", - bën elozhet e tij trajneri i Bajernit, Otmar Hitcfeld. "Dhe Kloze e ka dëshmuar më shumë se një herë se instinkin e tij të pabesueshëm për të shënuar gola", - shton Hitcfeld për "Lojtarin gjerman të vitit 2006". Sot Bajerni kryesues do të luajë kundër Energi Kotbus (ekipit të Skelës), skuadrës që sapo ka shkarkuar trajnerin, që ndodhet në vendin e fundit dhe ka pësuar 11 gola. Trajneri Hitcfeld beson se sulmuesit e tij kanë një tjetër shans për të shprehur agresivitetin e tyre. Po sot do të luajnë edhe Shtutgard-Bokum, Nuremberg-Bajer Leverkuzen.
Lëv mbron trajnerin e Skelës
Energi Kotbus shkarkoi trajnerin Petrik Sander, por reagimi i teknikëve të ekipeve më të mëdha gjermane ishte në mbrojtje të trajnerit të shqiptarit Ervin Skela. Kotbus renditet në vendin e fundit në kampionatin gjerman me vetëm 2 pikë në gjashtë ndeshje. Një nga kritikuesit më të mëdhenj të klubit gjerman të Bundesliga 1 është edhe trajneri i Kombëtares gjermane, Johakim Lëv, i cili duke folur për gazetën popullore gjermane, "Bild", tha se Sander bëri disa zgjidhje të vlefshme për Kotbusin, edhe pse në kushte të vëshitira. Lëvi iu bashkua korit të kritikave të trajnerëve të klubeve kryesore si Otmar Hitzfeld (Bajern Munih, që kryeson Bundesligën), Armin Veh (Shtutgart, kampioni në fuqi i Gjermanisë) dhe Feliks Magath (Wolfsburg). Edhe legjenda e futbollit gjerman, Franc Bekenbauer, doli në ndihmë të Sander duke kritikuar vendimin e drejtuesve te Cottbus. Patrik Sander, 46 vjec, i cili këmbënguli në blerjen e Ervin Skelës nga Askoli sezonin e kaluar dhe mbajtjen e tij për sezonin 2007-2008, drejtonte Energi Kotbus nga viti 2004.