Mutu: “Toti është i madh, por unë nuk jam inferior”

Adrian Mutu, rumuni i Fiorentinës, lëshon mesazhet e para në kuadër të sfidës me Romën dhe "shigjeta" e tij së pari "godet" kapitenin verdhekuq. "Francesko është një nga ata që meriton "Topin e artë", por besoj se edhe unë mund të konsiderohem po aq i zoti sa dhe verdhekuqi. Ai shënon më shumë, por në njëzet metrat e fundit jam unë më i zoti". Adrian Mutu nis kështu "luftën" midis dy numrave dhjetë, vetëm 48 orë përpara se të zbresin në fushë. Në "Artemio Franki" do të luhet Fiorentina-Roma, një takim që vlen për kreun e klasifikimit. "Është akoma shpejt, por do të ishte me të vërtetë bukur të jemi të parët pas ndeshjes së të mërkurës".
TOTI – Sulmuesi vjollcë i ka idetë të qarta. "Toti" është një lojtar i madh, por as unë nuk jam inferior në krahasim me të". Ky është mendimi i Mutusë. Lojtari ka dhe shpjegimin e tij: "Francesko është një kampion, do ta meritonte "Topin e artë". Është sigurisht një nga lojtarët më të fortë në botë dhe fakti që ka dhënë dorëheqjen nga Kombëtarja është për Italinë një humbje e madhe". Mutu, gjithmonë e më shumë, po thirret nga tifozët e Fiorentinës si "Fenomeni" dhe ai u përgjigjet atyre me një gjest përkuljeje sa herë që shënon. "Besoj se e meritoj të konsiderohem po aq i zoti sa Toti. Ai është më shumë golashënues, por njëzet metrat e fundit më përkasin mua". Adrian dëshiron edhe një përcaktim tjetër: "Unë dhe Francesko mund të kemi në majë të "sqepit" shumë komplimente për njëri-tjetrin, por në fushën e lojës duhet edhe loja e skuadrës. Janë shokët tanë ata që na vendosin në kondicione kaq të mira".
SAKRIFICA - "Brialiantul" (i shkëlqyeri), sic e thërrasin në Rumani, është një nga lojtarët e pakët të Cezare Prandelit, që nuk ka bërë një ndeshje pushim. Kampionat (në Itali), Kombëtare (rumune), Kupa UEFA, Adriani ka zbritur gjithmonë në fushë. "Fiorentina nuk duhet të bëhet e varur nga Muti, ka nevojë për të gjithë. Edhe Roma nuk është vetëm Toti". Në cdo rast, Mutusë i kërkohet edhe një paraqitje e mirë fizike. Trajneri Prandeli thotë: "Mutu është ambientuar të luajë ndeshje të nivelit të lartë cdo tri ditë, do t'i kërkoj një sakrificë".
BOBO VIERI - Në minutën e 35-të të pjesës së dytë Katania-Fiorentina, Kristian Vieri iu afrua Mutusë, i cili shef skenën kur duart e Bobos drejtohen direkt e në faqet e Adrianit. Nuk ndodhi asgjë, - shpjegon Mutu, - gjesti i tij ishte pak i cuditshëm, por jo provokativ. Madje them se ishte dicka stimuluese, nuk jam absolutisht i fyer. Kur dikush nga shokët apo trajneri më përkëdhelin është mirë, pasi më nxisin të bëj më shumë".
ROMA – Fiorentina ka tetë pikë, Roma ndodhet në krye në kuotën 10. Sfida është e hapur. Mutu është i vetëdijshëm për këtë: "Ata kanë ambicion titullin, janë skuadra që luan futbollin më argëtues. Fiorentina duhet të presë edhe disa vite, ka nevojë për më shumë eksperiencë. Jemi një skuadër e re, synojmë objektiva të tjerë. Por të mundësh Romën dhe të jesh në krye qoftë edhe për një javë të vetme do të bënte me të vërtetë një efekt të bukur". Të bukur si dueli Toti-Muti.