Bajerni bën “zap” edhe Shalken, vendosin Petersen dhe Mëler
Pritje armiqësore për portierin, Manuel Nojer, që pasi veshi fanellën e Bajernit, u cilësua Judë nga ish-tifozët
“Macja e zezë” e Bajernit nuk arriti dot kësaj radhe t’ia vërë shkopinjtë në rrota skuadrës së drejtuar nga Jup Hejckes, pasi bavarezët kanë arritur një fitore të pastër në “Veltins Arena”, 0-2 pas golave të Petersen dhe Mëlerit, nga një për çdo pjesë loje. Por në fakt, sfida ishte e mbushur me emocione dhe ato nisën që me zbritjen e skuadrave në fushën e lojës. Pankarta të shumta me mbishkrimet “Judë”, “Sa e shite veten” apo “Je vetëm një tradhëtar zoti Nojer”, ishin vendosur në tribunat e impiantit gjigant të Gelzenkirshenit. Tifozët e Shalkes, që me “kolegët” bavarezë janë armiq për vdekje nuk ia falën Nojerit kalimin në Mynih.
Sa për kronikën e lojës, Petersen do të shënojë golin e parë pas asistit të Frenk Riberi në minutën e 21-të, ndërsa në pjesën e dytë do të jetë Tomas Mëler njeriu që vendos fatet e takimit pas një tjetër pasimi të artë të mesfushorit francez. Pas kësaj fitoreje, skuadra bavareze merr e vetme kreun e rendijtes me 15 pikë pas 6 ndeshjesh.
Hanoveri përmbys Dortmundin
Hanoveri përmbys kampionët e Dortmundit dhe çfarë përmbysjeje. Në një ndeshje të luftuar dhe me shumë emocione, kampionët kanë ngecur përballë skuadrës së Altin Lalës, që dje ka bërë spektaktorin nga stoli i rezervave. Sfida ka dhuruar emocione të shumta, por më të forta ato janë bërë kur mesfushori japonez Shinji Kagava do të shënonte golin e avantazhit për djemtë e Jurgen Klop. Megjithatë, duket se Mirko Slomka nuk do të marrë më të mirën nga të tijtë pikërisht pas këtij momenti. Goditja e këndit e harkuar nga Veidfeller do të shndërrohet në asist për kapitenin Hagui, që do të barazojë shifrat në minutën e 87-të. Vetëm 120 sekonda më pas Didie Ja Konan do të realizonte golin e avantazhit dhe të fitores duke çuar në delir tifozërinë vendëse. Megjithatë, përpara këtyre momenteve, Hagui do të do të godiste traversën në të 84-ën, ndërsa Da Silva i Dortmundit do të ndalte me dorë një top që po kalonte vijën fatale.
Bundesliga – Java VI
Rezultatet
Të premten
Freiburg – Shtutgart 1-2
Dje
Nuremberg – Verder 1-1
Leverkusen – Këln 1-4
Hamburg – Borusia M. 0-1
Hofenheim- Volfsburg 3-1
Herta – Augsburg 2-2
Kaizerslautern – Mainz 3-1
Sot
Hanover – Dortmund 2-1
Shalke – Bajern Mynih 0-2
Renditja
Skuadra N F B H P
1.Bajern 6 5 0 1 15
2.Verder 6 4 1 1 13
3.Borusia M. 6 4 1 1 13
4.Hofenheim 6 4 0 2 12
5.Hanover 6 3 2 1 11
6.Shtutgart 6 3 1 2 10
7.Leverkusen 6 3 1 2 10
8.Nurenberg 6 3 1 2 10
9.Shalke 6 3 0 3 9
10.Hertha 6 2 3 1 9
11.Dortmund 6 2 1 3 7
12.FC Këln 6 2 1 3 7
13.Mainz 6 2 1 3 7
14.Volfsburg 6 2 0 4 6
15.K’lautern 6 1 2 3 5
16.Freiburg 6 1 1 4 4
17.Augsburg 6 0 3 3 3
18.Hamburg 6 0 1 5 1