E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja synon edhe triumfin në Olimpiadë

Nga Express më 19 shtator 2011 në ora 21:47

Spanja do të hyjë në garën e basketbollit në Olimpiadën e vitit të ardhshëm në kërkim të titullit të vetëm që i mungon, pas mbrojtjes së titullit të kampionit evropian në EuroBasket 2011.

Një gjeneratë e talentuar e udhëhequr nga qendra e Los Angeles Lakers, Pau Gasol konfirmoi dominimin në Evropë, duke mposhtur Francën 98:85 në një finale spetakolare në Lituani dhe përfundoi garën me rekord mbresëlënës 10-1.

Gasol, i cili i ndihmoi Spanjës edhe në fitimin e titullit botëror më 2006 në Japoni dhe EuroBasket 2009 në Poloni, tha se Spanja do të shkojë drejt Londrës me vetëm një synim në kokat e saj.

“Sigurisht, Olimpiada e vitit të ardhshëm është synimi ynë”, tha Gasol para gazetarëve. “E dimë se është garë shumë e vështirë për t’u fituar, por ne kemi parashikime shumë të larta. Është shumë vështirë të mposhtni ekipin e SHBA-së, e dimë këtë, por ne do të shkojmë në Londër për të garuar dhe do të shohim se çka do të ndodhë”, shtoi ai.

Vëllai i tij i vogël Marc, njëri prej gjashtë basketbollistëve nga NBA që janë pjesë e Spanjës, tha se me paraqitje të ngjashme sikurse në Lituani, gjithçka është e mundshme.

“E arta është synim në Olimpiadën e vitit të ardhshëm dhe nëse luajmë kështu, me shpirt të njëjtë, Londra do të jetë sfidë e madhe”, tha ai. Spanja ishte afër medaljes së artë në Olimpiadën e Pekinit, por u mposht 118-107 nga ekipi i SHBA-ve, që përfshinte yjet si Kobe Bryant, LeBron James dhe Dwayne Wade.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›